Emisioni Stop në Tv Klan transmetoi në 4 Dhjetor një denoncim ku thuhej se Policia Rrugore e Fierit përdor një automjet “Volkswagen Golf 4” me targa AA 127 KG, duke ndryshuar ngjyrën dhe duke vënë logo të policisë. Ky automjet përdoret për patrullim në aksin rrugor Fier-Tepelenë. Grupi i xhirimit i “Stop” udhëtoi nga Tirana drejt këtij aksi për të verifikuar denoncimin. Policët që po bënin shërbimin me këtë makinë refuzuan të jepnin përgjigje për pyetjen se kujt i përket ky automjet.
“Në datën 19.8.2018 shërbimet e Sektorit të Policisë Rrugore në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, në aksin rrugor Fier-Lushnje kanë konstatuar automjetin tip Golf me targa AA127KG me pronar dhe drejtues mjeti shtetasin J.V. i cili qarkullonte me këtë automjet, pa dokumente me vete dhe me masa administrative të pashlyera. Automjeti me targa AA127KG konform të gjitha procedurave ligjore me vendimin e marrë nga Komisioni i Shqyrtimit të Kundërvajtjeve Administrative pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Fier në datë 3.12.2018 është konfiskuar dhe ka kaluar në pronësi të shtetit dhe me këtë vendim është njohur edhe qytetari”, thuhet në njoftimin e Policisë së Fierit.
/Burimi: Tv Klan/