Një debat i ashpër ka ndodhur ditën e sotme në parlament mes deputetit demokrat Dashnor Sula dhe ministres Elisa Spiropali në lidhje me standardin e jetës së ministreve dhe udhëtimeve të kryeministrit Rama.
Sula tha se në radhët e socialistëve ka edhe deputete që janë të nderuara dhe të korruptuara.
“Shquheni për të bërë kilometra. Kryeministri jonë i ka bërë kilometrat me charter. Këto janë të vërteta. Ky është luksi. Ka dhe zonja të nderuara në qeveri dhe jo të korruptuara. Ka dhe deputetë me integritet. Ka dhe deputetë që kanë zonat e tyre të parajsës. Unë fola me shifra. Për të bërë paradë mode unë nuk di ta bëj paradën e modës”, tha ai.
Deklaratës së tij iu përgjigj ministrja Elisa Spiropali e cila deklaroi se kryeministri bën kilometra për të marrë çmime në lidhje me qeverisjen e tij.
“Të thuash ministret bëjnë paradë mode është stereotipizim gjinor. Përdorimi i gjuhës sjell edhe çështje të tjera. Shembuj të tillë le t’i shmangim. Çështjet e punës, duhet ta dini që këto gra këtu mbajnë peshën më të madhe të qeverisjes së vendit. Sa për udhëtimet e kryeministrit, sigurisht që do udhëtojë kryeministri se ka për të marrë çmime. Të jeni të sigurt që kilometrat që ne bëjmë në tokë, det apo ajër janë për t’i shërbyer këtij vendi. Për model e për flokë e për xhel e të tjera ju dihet kë keni”, u shpreh ministrja.
/Priza.al/