Kryeministri britanik, Boris Johnson, dhe gruaja e tij Carrie, janë bërë sërish prindër. Ata kanë njoftuar lindjen e fëmijës së tyre të dytë, që është një vajzë, e cila lindi në një spital të Londrës.
“Kryeministri dhe zonja Johnson janë të lumtur të njoftojnë lindjen e një vajze të shëndetshme në një spital në Londër sot. Edhe nëna, edhe vajza janë në gjendje shumë të mirë. Çifti dëshiron të falënderojë ekipin e shkëlqyer të maternitetit të NHS për të gjithë kujdesin dhe mbështetjen e tyre”, thuhet në një deklaratë.
Fëmija i tyre i parë, Wilfred Lawrie Nicholas Johnson, lindi në fund të prillit 2020, disa javë pasi kryeministri doli nga spitali ku ishte në kujdesin intensiv me COVID-19.
Zoti dhe zonja Johnson u martuan në një ceremoni të vogël në Katedralen Westminster në maj. Johnson, i njohur për jetën e tij të trazuar personale, të shënuar nga tre martesa dhe një numër i panjohur lidhjesh, me ardhjen e re në familje ka gjithsej shtatë fëmijë.
Lideri konservator ka 4 fëmijë nga gruaja e tij e dytë, Marina Wheeler, avokate, me të cilën ka përjetuar bashkimin më të gjatë deri tani, rreth 25 vjet.
Një djalë tjetër i lindur në 2009 nga një lidhje jashtëmartesore me eksperten e artit Helen Macintyre, atësinë e të cilit ai ia kishte mohuar fillimisht, derisa e njohu ligjërisht në 2013.
Vetëm shtatorin e kaluar Johnson pranoi në një intervistë të dhënë në TV amerikan Nbc se kishte 6 fëmijë, ndërkohë që sot iu shtua edhe e vogla.
/Priza.al/