Policia e Vlorës i bën thirrje qytetarëve të tregohen të kujdesshme për shkak të përkeqësimit të kushteve atmosferike. Si pasojë e reshjeve të dendura dhe rrëshqitjeve të dherave në aksin rrugor Vlorë-Oriku, policia apel që shoferët të bëjnë kujdes të veçantë dhe të shmangin lëvizjen në këtë aks rrugor.
Prefekti i Vlorës, Flamur Mamaj për mediat ka informuar për situatën aktuale pas rrëshqitjes së dherave. Sipas tij shpresohet që angazhimi i katër fadromave dhe mjeteve të tjera të bëjë të mundur zhbllokimin e rrugës për disa orë.
“Siç e shikoni për shkak të shirave të rrëmbyeshëm ka bërë që të ketë rrëshqitje të jashtëzakonshme të një masivi të madh dheu që kanë bllokuar rrugën që tek pika e parë tek “Jonufra”. Jemi angazhuar për të bërë zhbllokimin. Sipërfaqja është rreth 1 mijë metra kub dhe dhe akoma nuk jemi të bindur se nga çfarë ka ardhur gjithë ky masiv. Shpresojmë që me angazhimin e 4 mjeteve fadromë dhe disa mjeteve vetëëshkakruese të bëjmë të mundur zhbllokimin për disa orë të kësaj rruge”, tha prefekti.
Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar rrëshqitje dherash në Vlorë.
Për pasojë është bllokuar aksi rrugor Vlorë-Orikum. Siç duket në pamjet e siguruara në rrugën në afërsi të Jonufrës ka prezentë të lartë të baltës, duke e bërë totalisht të pakalueshme për mjetet.
Policia Rrugore e Vlorës-Informacion-
Nisur nga moti i keq me reshje të dendura shiu në shumë zona të vendit, Policia Rrugore ka shtuar prezencën e shërbimeve në të gjitha akset rrugore dhe apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve të bëjnë kujdes të veçantë, pasi ka prezencë të ujit në disa rrugë.
Për shkak të reshjeve të shiut në aksin rrugor Vlorë-Orikum, në Jonufër, ka pasur rrëshqitje të dheut, gjë që ka sjellë bllokim të lëvizjes së mjeteve.
Policia Rrugore e Vlorës, kërkon mirëkuptimin e drejtuesve të mjeteve që të shmangin sa është e mundur lëvizjen në këtë aks rrugor, ndërkohë që kontraktorët po punojnë për zhbllokimim e rrugës dhe kthimin në normalitet të lëvizjes së mjeteve.
Policia Rrugore apelon për drejtuesit e mjeteve që për cdo emregjencë që mund të kenë gjatë udhëtimit të telefonojnë menjëherë në numrin 112 ose të dërgojnë imazhe në Komisariatin Dixhital dhe shërbimi i Policisë do jetë në kohë reale në ndihmë të tyre.