Eksperti i njohur i kriminalistikës, Arben Hajdarmataj, e ka cilësuar vrasjen e Bardhok Pllanajt si të mirë organizuar. Teksa ka analizuar ngjarjen, ai tha se atentati është i mirëmenduar dhe se ngjarja nuk ka ardhur si konflikt i çastit. “Ka një makinë që e shoqëron makinën e të ndjerit, ka një goditje me armë zjarri në makinë në ecje, ç’ka tregon se është i mirëmenduar dhe ngjarja nuk ka ardhur si konflikt i çastit. Ka një skemë të mirë organizuar në këtë atentat”, tha Hajdarmataj në studion e “Breaking” në Top News.
Sipas ekspertit, policia duhej të ishte treguar më e kujdesshme për të vëzhguar lëvizjet e Pllanajt, pasi ishte një person me rekorde kriminale. Ai është shprehur se duke ditur që ky person ka konflikte të mundshme me personazhe të botës së krimit, policia duhej të përdorte një strategji të parandalimit të vrasjes.
“Unë mendoj që policia duke pasur një historik të një personazhi me rekorde kriminale, unë mendoj se ka të dhëna e elementë të tjerë, që ky person ka konflikte të mundshme me personazhe të botës së krimit, e policia duhet të përdorë një strategji të parandalimit të vrasjes. Mbi kurrizin e tij ka një konflikt kriminal, ka një sekuestro pasurie, si dhe ka edhe një lidhje të hershme me politikanë”, tha Hajdarmataj.
Ai më tej shpjegoi edhe mënyrën se si policia mund të parandalonte këto ngjarje. Eksperti i njohur i kriminalistikës citoi se policia nuk ka një strategji të saktë. “Mund t’i vihej p.sh telefoni në përgjim i grupeve kundërshtare, ose i viktimës për të parë edhe konfliktet ose edhe në vëzhgim ka edhe metoda të tjera që duhet të bëjë për parandalimin e këtij krimi. Kur them por, e kam një por të madhe, sepse në përgjithësi po të analizojmë vrasjet e ndodhura në kohët e fundit, del qartazi se policia nuk ka një strategji të saktë”.