Ish-kryeministri, Sali Berisha, ka reaguar pas akuzave në disa media lidhur me një fotografi të Enver Hoxhës dhe internimin e supozuar të çiftit të mjekëve, Milto dhe Margarita Kostaqi.
Lideri historik i PD-së, sqaroi në ‘Opinion’ se, në rastin e fotos së diktatorit, ai ka qenë në një ditëlindje dhe Enver Hoxha, nuk është takuar me të, por ka kaluar përpara tij.
Sa i takon akuzave për çiftin e mjekëve, Berisha hodhi poshtë çdo pretendim që fajëson atë, duke sqaruar se ata u shënjestruan nga regjimi pas vdekjes së Mehmet Shehut, siç e pësoi i gjithë rrethi i tij i ngushtë.
Bashkëshorti i Margaritës, shtoi Berisha, Milto Kristaqi kishte qenë mjeku personal i Mehmet Shehut.
Madje Berisha kujtoi edhe një episod kur mjekja e ndjerë tashmë, i kishte kërkuar në prani të gazetarit Blendi Fevziu të dilte në media dhe të përgënjeshtronte akuzat e Edi Ramës në Parlament, lidhur me internimin e saj. Moment i cili u pohua edhe nga Fevziu.
Sa i takon fotografisë, është shpjeguar qartësisht nga ish-mjeku i Enver Hoxhës, dhe miku im, Isuf Kalo. Nëse sheh një intervistë timen ai që po drejton sot emisionin më pyet, a e ke takuar ndonjëherë personalisht Enver Hoxhën? Jo i them, personalisht kurrë.
Por i them ka kaluar, ekzakt atë që tregon fotografia. Kemi qenë në një ditëlindje të Liljana Hoxhës, e cila ka qenë drejtore ekzekutive e revistës Shkenca dhe Jeta dhe unë kam qenë bashkëpunëtor dhe anëtar bordi.
Ai ka ardhur, ka kaluar dhe ka ikur. Nëse një takim kolektiv quhet personal… Unë nuk e kam mohuar që kam patur miqësi me të renë e tij, por edhe me të shoqin e saj”.
***
“Sa i përket shoqes time, aty ke një dëshimtar, Blendi Fevziu. Edi Rama më thoshte në Parlament, ke persekutuar një shoqe, një mjeke. Nuk e dija se për kë e kishte fjalën. Në vitin 2011 me vjen dhe më thotë, Sali, të lutem shumë më nxirr në ndonjë media tua marr fytyrën këtyre që shpifin ndaj teje dhe t’u tregoj se kush ka qenë Sali Berisha”.
Blendi Fevziu: E mbaj mend si takim. Kjo ka qenë gruaja?
Sali Berisha: Po Margarita…
Sali Berisha: Margarita Kostaqi ka qenë një grua e shkëlqyer. Ishte bashkëshortja e mjekut personal të Mehmet Shehut, ishte njeri i mirë. Kur kryeministri vrau veten, në të gjitha rastet kur ndodhin këto, personelin e dëbonin, e internonin ose e burgosnin. Kryeoficerin e tij Ali Cenon e burgosën, Milton dhe të shoqen i dëbuan në Kavajë. Nuk mund të ishte ajo kurrë kompetencë, unë s’kam qenë sekretar partie në atë kohë, kam qenë në vitin 1979. Kjo është e gjithë historia. Trillim dhe shpifje. Në prani të Blendi Fevziut më ka thënë, Sali më jep një mundësi që të dal në media, që t’ua marr fytyrën në media Edi Ramës dhe shpifësve si ai.
/Priza.al/