Berisha u drejtohet demokratëve një ditë para Kuvendit, fton edhe Bashën: Nesër rithemelojmë partinë, vishuni trashë

Një ditë para mbajtjes së Kuvendit të PD, ish-kryeministri Sali Berisha ka mbajtur një konferencë të jashtëzakonshme, ku u ka bërë thirrje demokratëve që t’i bashkohen në atë që ai e  quan “rithemelimi i partisë”.

Ish-kryeministri i ka këshilluar mbështetësit e tij që të vishen trashë për shkak të motit të keq.

“Me këtë mesazh dua t’ju përshëndet shumë përzemërsisht. Dua t’ju ftoj ju të gjithë delegatëve të Kuvendit të rithemelim të PD, që keni firmosur ose nuk keni firmosur formularin, të jeni nesër të pranishëm. Të vendosni me votën tuaj të lirë rithemelimin e PD. Rithemelimin e forcës tonë politike, rikthimin e saj në shtëpinë e lirisë së demokratëve shqiptarë. Në një forcë politike të vlerave tradicionale të shoqërisë sonë. Në një forcë të vërtetë opozitare, të sigurt, që do të udhëheqë revolucionin paqësor të shqiptarëve. Si dikur përmbysëse e sistemit komunist, sot në përmbysje të narko-shtetit. Rikthimin e votës së lirë për anëtarët, simpatizantët e PD brenda kësaj partie. Rikthimin e votës së lirë për Shqipërinë shqiptare në tërësi. Të dashur delegatë dhe delegate, moti është një faktor që nuk varet nga ne, me gjithë zjarrin dhe entuziazmin që keni nga brenda. Sugjerimi miqësor është që të vinim të përgatitur me veshje të trasha të mundur për mos të ndjerë të ftohtin.”, tha Berisha.

Berisha bëri të ditur se nuk do të tërhiqet nga organizimi i Kuvendit Kombëtar të 11 dhjetorit, madje ai ka ftuar Lulzim Bashën dhe deputetet e PD-së për të qenë pjesë.

“Natyrisht shiu nuk bie në zonën ku jemi ne si delegatë por klima është kjo që ju e shihni vetë.
Ftoj të gjithë ata delegatë të PD, drejtues të saj kryesor duke përfshirë edhe kryetarin e saj në letër Lulzim Basha, të gjithë drejtuesit dhe deputetët e PD, të gjitha ata që mendojnë ndryshe nga ne të vijnë nesër në rithemelimin e forcës sonë politike. Ky Kuvend është i të gjithë demokratëve, ftoj të gjithë anëtarët e PD që kanë mbështetur fuqishëm lëvizjen për një PD më të fortë e të bashkuar, dhe më të hapur, por edhe ata që e kanë parë me skepticizëm të vijnë nesër për të ndjekur në stadiumin ‘Air Albania’ për të ndjekur këtë moment të rëndësishëm të historisë, rivendosjen e pluralizmit politik.”, përfundoi ai.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *