U hap parakohe me shumë bujë, ‘Rruga e Arbrit’ e pakalueshme prej motit të keq/ ‘Gjoka’ asnjë masë për pastrimin dhe sigurinë e aksit  

Ajo që duhet të ishte një rrugë “model”, pasi u ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë më tepër se çdo vepër tjetër infrastrukturore, “Rruga e Arbrit”, në fakt ka mbetur një “shteg” i pakapërcyeshëm.

Moti i keq ka bërë që kjo rrugë e hapur vetëm 10 ditë më parë me shumë bujë, të mbyllet sërish jo më nga firma që kryen punimet, por nga moti i keq.

Policia e Shtetit ka njoftuar se ka probleme me qarkullimin e automjeteve në “Rrugën e Arbrit”. Ndërkohë që shpjegon se në disa segmete ka borëpastruese që po e mbajnë të kalueshëm por me vështirësi.

Por nga ana tjetër, Policia e Shtetit ka çuditur të gjithë me apelin e saj për të gjithë drejtuesit e mjeteve duke u kërkuar jo vetëm që të tregojnë kujdes të shtuar në drejtimin e mjetit, por ajo që është sa e çuditshme aq edhe qesharake është fakti se u ka kërkuar “të shmangin lëvizjet e panevojshme në këtë aks”?

Po përse dreqin janë bërë rrugët?! …Për më tepër kaq shumë të kushtueshme, kur janë të pakalueshme dhe të pasigurta? Mos duhet më mirë që me kaq shumë para qeveria të kishte ndërtuar një aeroport diku në Peshkopi dhe të gjithë ata që donin të shkonin aty të merrnin avionin?

Në vend që kompania që po merret me ndërtimin e këtij aksi të marr masa për sigurinë dhe kalueshmërinë në të, caktohet Policia e Shtetit që të bëjë “zëdhënësen” e kompanisë “Gjoka”, për të justifikuar pamundësinë apo mos dëshirën e saj për të punuar dhe mirëmbajtur rrugën, për të cilën ka fituar miliarda nga xhepat e taksapaguesve.

Situata meteorologjike dhe ajo e rrugëve

Reshjet e shiut dhe dëbora kanë mbërthyer edhe sot qytetet e Shqipërisë. Moti i keq, i cili vijon prej një jave në Shqipëri, do të jetë prezent deri javën e ardhshme, por reshjet e dëborës kanë sjellë edhe pasoja në “Rrugën e Arbrit”, duke krijuar jo pak vështirësi në qarkullim.

Policia e Dibrës ka kërkuar nga drejtuesit e mjeteve që të shmangin lëvizjet e panevojshme në këtë aks rrugor. Ndërkohë që probleme të mëdha ka pasur edhe në disa zona të vendit, ku në Durrës dhe Përmet ka pasur rrëshqitje masive dherash dhe rënie masivesh.

Edhe në Shkodër, në disa fshatra ka pasur mungesë me furnizimin e energjisë elektrike ndërsa disa akse kanë probleme me qarkullimin si pasojë e reshjeve të mëdha të dëborës, që në disa zona kanë shkuar deri në 1.5 metra.

Njoftimi i plotë:

“Policia e Shtetit

Për shkak të reshjeve të dendura të dëborës në Rrugën e Arbrit, në Bypass, qarkullimi i automjeteve kryhet me vështirësi.

Policia e Shtetit ka ngritur pika kontrolli në të dyja kahet e lëvizjes dhe nuk do të lejojë asnjë drejtues mjeti të qarkullojë pa vendosur goma dimërore dhe zinxhirë.

Ndërkohë, borëpastrueset po punojnë për pastrimin e rrugës, por për shkak se reshjet po vijojnë qarkullimi i mjeteve duhet të bëhet vetëm me zinxhirë dhe goma dimërore.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të tregojnë kujdes të shtuar në drejtimin e mjetit, si dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme në këtë aks.

Shërbimet e Policisë janë  në gatishmëri për t’u ardhur në ndihmë drejtuesve të mjeteve që mund të kenë probleme, si dhe për të parandaluar aksidentet rrugore.

Në rast nevoje për ndihmë, telefononi në numrin 112 ose dërgoni njoftim në Komisariatin Dixhital.

#policianëshërbimintuaj”

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *