Policia e Vlorës ka ndihmuar 2 turistë hollandezë të cilët kishin humbur rrugën në Llogara. Shërbimet e policisë, në bashkëpunim me Delta Forcë kanë marrë njoftimin se një çift turistësh hollandezë kishin humbur kontaktet, rrugën dhe orientimin një ditë më parë dhe për shkak të terrenit të vështirë dhe errësirës, e kishin të pamundur kthimin mbrapa.
Ata menjëherë kanë nisur kërkimet që prej mbrëmjes së djeshme, të cilat kanë vijuar deri në mesditën e sotme. Si rezultat i kërkimeve të pandërprera, u bë i mundur lokalizimi dhe marrja e kontaktit me dy turistët në vendin e quajtur “Qafa e thellë”, Llogara. Aktualisht po bëhet transportimi i çiftit pranë vendndodhjes së tyre në Parkun e Llogarasë. Turistët janë në gjendje të mirë shëndetësore.