Juglindja prej dy ditësh është përfshirë nga reshjet e dëborës çka ka sjellë probleme në disa zona. Në segmentin e Dardhës trashësia e dëborës ka shkuar deri në 70 cm. Mjetet që lëvizin duhet të jenë të pajisura me zinxhirë ndërsa Voskopoja dhe Qafa e Qarrit nuk kanë probleme me kalueshmërinë e mjeteve pasi dëbora varion nga 5 deri në 15 cm.
Probleme me energjinë elektrike vijon të ketë në territorin e Bashkisë Maliq pasi reshjet janë shoqëruar edhe me erë të fortë. Mungesë të energjisë ka në Gorë, Moglicë, Kolanec, Zboqëri ndërsa mësohet se grupet e punës ndodhen në terren për të rikthyer energjinë.
Ndërkohë në Pogradec prej 48 orësh pa energji dy njësi administrative Dardhas dhe Trebinjë dhe 6 fshatra në njësinë Proptisht. OSHEE thotë se është duke punuar, por në asnjë nga tre njësitë energjia nuk është kthyer deri më tani.
Ka pasur edhe rrëshqitje dherash në fshatin Zall Torrë dhe po merren masa për hapjen e rrugës. Këshillohet për të gjithë drejtuesit e mjeteve të tregojnë kujdes dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor. Emergjencat Civile njoftojnë se në Qarkun e Elbasanit nuk ka përmbytje, pasi prurjet e lumenjve dhe përrenjve deri më tani kanë qenë mesatare.
/Priza.al/