Minimizimi i reshjeve të shiut si dhe ulja e prurjeve të përrenjve nga Çorovoda drejt qytetit të Beratit, ka bërë që të ulet me rreth 2 metra niveli i prurjeve të lumit Osum.
Gjatë natës së djeshme lumi ka shkaktuar përmbytje të mëdha në fshatrat Çiflik, Arrëz e Poshnje në bashkinë Dimal si dhe në zonën e Dafinave në lagjen “18 Tetori” në hyrje të qytetit të Urës-Vajgurore. Katet e para të disa shtëpive në zonën e Dafinave u përmbytën nga lumi, ndërkohë që të gjitha tokat bujqësore u përmbytën dhe vijojnë të jenë ende nën pushtetin e ujit. Vërshimi me furi dhe në mënyrë të menjëhershme i lumit nuk u la asnjë mundësi banorëve të shpëtonin rezervat ushqimore dhe shpendë e bagëti, që i mori lumi dhe u mbytën.
Banorët e këtyre zonave tregojnë se ata përmbyten çdo vit nga vërshimi i lumit dhe sipas tyre, përmbytjet shkaktohen si pasojë e mungesës së pritave në lumë, që sjellin devijimin e ujit drejt fshatrave Çiflik, Arrëz e Poshnje. Qindra hektarë tokë me grurë e foragjere si dhe pemë frutore në zonën e Dimalit janë ende nën ujë dhe dëmet e shkaktuara janë kolosale.
“Uji erdhi menjëherë dhe nuk patëm asnjë mundësi të shpëtonim bagëti e shpendë. Gjithçka që kishim në tokat bujqësore u dëmtua, ndërkohë uji mori edhe rezervat tona ushqimore. Ne jemi përmbytur çdo vit, por edhe pse kanë ardhur e kanë vlerësuar dëmet, nuk kemi marrë asnjëherë asnjë shpërblim për përmbytjet”, shprehen banorët.
/Priza.al/