Shtatë persona humbën jetën dhe katër të tjerë u lënduan, pasi një makinë me targa serbe në të cilën ndodheshin refugjatë e migrantë, u përplas në një shtëpi në Hungari.
Aksidenti ndodhi pasi shoferi refuzoi të ndalet për kontrolle rutinore. Shoferi dalloi që policia ishte duke kontrolluar makinat në fshatin Morahalom afër kufirit me Serbinë dhe tentoi të shmangë patrullën, raporton agjencia Reuters.
Makina, në të cilën ndodheshin 10 persona u nis në drejtim të qytetit Segedin dhe si pasojë e shpejtësisë së madhe goditi shtëpinë dhe u rrotullua. Policia njoftoi se shoferi, i cili po ashtu u lëndua në aksident, u arrestua dhe ndaj tij do të fillojnë procedurat penale. Ai pritet të akuzohet për tregti me qenie njerëzore dhe shkaktim të aksidentit me fatalitet.
Numri i migrantëve, të cilët hyjnë në Bashkimin Evropian duke kaluar kah shtetet e Ballkanit Perëndimor, pothuajse është dyfishuar gjatë këtij viti, njoftoi në gusht Agjencia evropiane për kontrollimin e kufijve, Frontex. Shumica e migrantëve vijnë nga Siria dhe Afganistani.
/Priza.al/