Bezdia dhe stresi nga telefonatat e padëshiruara të marketingut/ Gati projektligji që do të mbrojë privatësinë e klientit

Reklamat agresive të kompanive të ndryshme, apo mesazhet e paautorizuara të politikanëve të caktuar që në kohë fushate shfrytëzojnë edhe numrat celular të individëve, janë për shumë qytetarë një bezdi e madhe.

Në shumë shtete të botës një shqetësim i tillë mund t’i sillte një gjobë të majme kompanisë e cila pa qenë e autorizuar përdor numrin privat të një individi.

Por po aq e penalizuar do të ishte edhe kompania telefonike e cila pa marrë lejen apo pëlqimin e klientit të saj, jep numrin e telefonit kundrejt një fitimi të caktuar për kompani marketingu apo shitjesh on-line.

Por në Shqipëri ku ligjet nuk zbatohen edhe pse janë në letër, prej vitesh tashmë që të treja kompanitë telefonike celulare, “Vodafone Albania”, “One” dhe “Eagle Mobile”, vijojnë me dhënien e numrave të klientëve të tyre si tek subjektet tregtare ashtu dhe tek ato politike.

Tashmë është bërë e udhës që të gjithë klientëve të kompanive celulare t’u shkojnë në telefonin e tyre jo vetëm sms apo mesazhe ofertash nga vet kompanitë, por edhe nga kompani të tjera shitjesh, apo edhe përfaqësues politik në kohën e votimeve.

Por duket se shumë shpejt kjo gjë do të marrë fund, ose të paktën kështu është premtuar.

Projektligji i ri

Për të rregulluar këtë çështje, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, ka përgatitur një projektligj “Për krijimin e Regjistrit të komunikimeve tregtare të pa kërkuara”.

Në këtë Regjistër, do të identifikohet çdo subjekt tregtar që realizon komunikime tregtare të pa kërkuara, për qëllime marketingu të drejtpërdrejtë në veprimtarinë e tij, dhe nga ana tjetër të gjithë personat, të cilët me pëlqimin e tyre, regjistrohen në Regjistër, me qëllim që të mos jenë subjekt i komunikimeve tregtare të pa kërkuara.

Regjistrimi për individët në këtë regjistër do të jetë falas dhe do të mund të bëhet në disa kanale, të ofruara nga Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave.

Çdo subjekt tregtar, përpara se të përdorë të dhënat e marra nga regjistra publikë për ushtrimin e aktivitetit promocional, detyrohet të aksesojë Regjistrin me qëllim konsultimin e listës së personave të cilët kanë dhënë pëlqimin e tyre, për të mos pranuar komunikime tregtare të pakërkuara.

Bizneset do të paguajnë tarifa të posaçme për regjistrimin dhe aksesin në regjistër, tarifa që do të përcaktohen me masa nënligjore.

Penalitetet

Për subjektet që do të vazhdojnë të kryejnë telefonata marketingu në kundërshtim me ligjin, parashikohen gjoba deri në 1 milion lekë. Projektligji ndalon kryerjen e komunikimit tregtar të këtij lloji në fundjavë dhe gjatë ditëve të festive, ndërsa në ditët e tjera, ky komunikim do të mund të kryhet vetëm brenda intervalit kohor, nga ora 9:00 deri në 19:00.

Regjistri nuk do të jetë i hapur për publikun e gjerë, me qëllim mbrojtjen e të dhënave personale të individëve të regjistruar në të dhe administrator i Regjistrit do të jetë Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Për komunikimet e pakërkuara ekzistojnë pjesërisht dispozita edhe në ligje të tjera, si ai për komunikimet elektronike, për tregtinë elektronike, apo për mbrojtjen e të dhënave personale. Por, standardet e rregullimit të komunikimeve tregtare të pakërkuara janë të fragmentuara dhe projektligji i propozuar, synon të zgjidhë këtë problematikë nëpërmjet krijimit të regjistrit të centralizuar të komunikimeve tregtare të pakërkuara.

Fillimisht, problemi i telefonatave të padëshiruara të marketingut u mendua të adresohej nëpërmjet një rregulloreje të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP). Por, pas konsultimeve, u vendos që për këtë çështje të hartohej një ligj i veçantë.

/Burimi: Monitor.al/Përshtati: Priza.al/

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *