Efektivët e mbështetën pas një muri dhe i “futën duart” në trup duke i bërë një “krehje” të imtësishme fizike, vajzës së re e cila po dridhej nga emocionet, frika dhe turpi.
Por ishte fati i saj i keq që e penalizoi, pasi nuk mund ta flakte në kohë “mallin” që kishte me vete.
Vajza 22-vjeçare me banim në Tiranë, me inicialet G.D. ra në “kthetrat” e bluve, pasi kishte pak kohë që ishte bërë një shpërndarëse e rafinuar kokaine nëpër lokalet e kryeqytetit.
Por ajo është arrestuar nga policia në Tiranë, pasi është kapur në flagrancë me lëndë narkotike të dyshuar kokainë.
Policia informoi në raportin e saj se në pranga ra 22-vjeçarja me inicialet G.D., e cila mbante me vete lëndën narkotike. Kokaina iu gjet vajzës gjatë kontrollit fizik që iu ushtrua.
Në polici, vajza gjatë deponimit përpara një OPGJ-je, mësohet të ketë përdorur si alibi dëshminë se ajo ishte “detyruar” që ta bënte këtë punë, pasi prej muajsh kishte mbetur pa para, sepse Call-centeri që punonte u mbyll dhe nuk u kishte dhënë pagat e disa muajve punonjësve.
Njoftimi i Policisë së Tiranës:
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 6, bënë arrestimin në flagrancë të shtetases G. D., 22 vjeçe, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi lënde e dyshuar narkotike e llojit kokainë”.
/Priza.al/