Arrestimi i ish ministrit shqiptar të Mjedisit Lefter Koka ka gjetur pasqyrim edhe në mediat e huaja. Agjencia e lajmeve “Associated Press” shkruan se Koka rrezikon deri në 12 vjet burg nëse shpallet fajtor për akuzat e ngritura nga Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, SPAK.
Ish-ministri u arrestua rreth orës 11:00 të paradites së të martës, për akuzat e “Shpërdorimit të detyrës”, “Pastrimit të parave” dhe “Korrupsionit”.
“Korrupsioni ka ndikuar fuqishëm në zhvillimin demokratik, ekonomik dhe social të Shqipërisë postkomuniste”, shkruan “Associated Press“.
Kujtojmë se ish-ministri i Mjedisit në datën 1 shtator 2021 hoqi dorë nga mandati i deputetit në Kuvend. Shkak mendohet të jetë bërë pikërisht hetimi i nisur nga SPAK-u për çështjen e inceneratorëve.
ARRESTIMI
Skuadra e Policisë Speciale e mbështetur edhe nga efektivë të Policisë së Durrësit zbarkuan paraditen e të martës në lagjen 1 të qytetit bregdetar për të vënë në pranga një nga individët më me influencë të zonës dhe jo vetëm, Lefter Kokën. Pa shumë bujë, disa efektivë u ngjitën në pallatin ku banon familja Koka dhe bashkë me të u larguan.
/Burimi: AP/ Përshtati: Priza.al/