Barazia gjinore është parim i filozofisë sociale që nënkupton barazinë e burrave, grave dhe personave me identitete të ndryshme gjinore në jetën shoqërore dhe politike.
Barazia gjinore është një prej vlerave thelbësore të një shoqërie demokratike. Një shoqëri e cila investon në arritjen e barazisë gjinore jo vetëm që çon në përmirësimin e jetës së vajzave dhe grave por edhe në transformimin pozitiv të mënyrës së jetuarit të djemve dhe burrave.
Të sfiduarit e stereotipeve për rolet gjinore dhe krijimi i mundësive të barabarta në punësim si për burra ashtu edhe për gra, do të ndihmonte po ashtu që ngadalë të bëhet zhvendosja e rolit tradicional. Burri shihet si shtylla e familjes, i cili pritet t’ia kushtoj jetën e tij punës për të siguruar mirëqenien e familjes, ndërsa gruaja priret të jetë drejtuesja në shtëpi ose më saktë të luajë rolin e ‘shërbëtores’. Pjesa më e madhe e meshkujve martohen nga nevoja për të krijuar një familje, për të pasur një grua që të kujdeset, ti gatuajë etj. Por sa meshkuj ka në Shqipëri që e ndihmojnë gruan e tyre në punët e shtëpisë? Sa e vërtetë është barazia në një marrëdhënie, bashkëjetesë apo martesë?
“Priza TV” ka marrë në pyetje së fundmi disa qytetarë të Tiranës në lidhje me këtë çështje.
Gazetarja e ‘Priza.al’, Griselda Katirai, në rubrikën ‘Mikrofoni në Prizë’ ka pyetur qytetarët që nëse janë dakort me traditën që punët e shtëpisë duhet ti bëjnë vetëm femrat.
Njëri prej tyre shprehet se duhet ti bëjë vetëm femra pasi është më e pastër dhe se vetëm me ato punë duhet të merren. Një i moshuar shprehet se nuk është i aftë ti bëjë vetë, dhe që gruaja i bën kafenë dhe i vesh çorapet. Një tjetër i ri shprehet se duhet arritur konsensusi ndërmjet të dyja palëve dhe se duhet të bashkëpunojnë edhe në punët e shtëpisë ashtu si në marrëdhënien e tyre.
Një tjetër burrë shprehet se është turp që punët ti bëjnë vetëm gratë pasi të drejtat e tyre janë të barabarta. Madje ai tregon edhe mirënjohjen e tij nga bashkëshortes për shkak se ka mbajtur 9 muaj në bark fëmijën e tij. “Dy herë duhet respektuar gruaja dhe një herë burri”, shprehet ai.
Disa femra kanë deklaruar se duhen ndihmuar nga partnerët e tyre për shkak se edhe ato punojnë dhe sigurojnë të ardhura në familje dhe nuk është aspak e drejtë që duhet të bëjën gjithmonë edhe punët e shtëpisë.
Nëse duan që femrat të bëjnë vetem punët shtëpisë, atëherë meshkujt duhet që të sigurojnë në familje rrogën e tyre dhe të partneres… Por nëse s’janë të aftë për ta bërë këtë atëherë duhet të kontribuojnë sa më shumë në familje.
Meshkuj, bëni që fjala barazi gjinore të ketë më shumë vlerë se kurrë, sot, nesër dhe në të ardhmen. Duajini, respektojini, ndihmojini dhe kujdesuni gjithmonë për femrën tuaj!
/Priza.al/