Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç është shprehur se deklaratat nga Prishtina pas themelimit të institucioneve nuk janë inkurajuese, duke marrë shkas nga marrja e detyrës së Vjosa Osmanit.
“Tani do të doja të pyesja ata nga Beogradi që i mbështetën, çfarë prisnit. Ata duan njohje të madhe, dhe kjo është që Prishtina të njohë Serbinë pa Kosovën. Faleminderit për atë ofertë, por kjo nuk do të ndodhë”, tha Vuçiç.
Pas dy raundeve të dështuara, në raundin e tretë Vjosa Osmani u bë presidente e Republikës së Kosovës me 71 vota pro. Nuk mori vota nga tre deputetët e LDK-së Agim Veliu, Avdullah Hoti e Driton Selmanaj ndërsa 11 vota ishin të pavlefshme.
Ajo është gruaja e dytë në historinë më të re të Kosovës pas Atifete Jahjagës që bëhet presidente. Pas shpalljes së rezultatit të votimit, Vjosa Osmani u betua si Presidente e Republikës së Kosovës përpara Kuvendit.
“Betohem se tërë fuqinë time do t’ja kushtoj ruajtjes së pavarësisë dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, respektimit të lirive”.