“Me një klik do të keni pronën në telefonin tuaj”/ Digjitalizimi i Kadastrës, Ahmetaj: Do çlirojmë qytetarët nga zinxhirët e burokracisë

Zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj gjatë takimit të mbajtur mbi “Digjitalizimin e Kadastrës”, foli në lidhje me lehtësimet burokratike që do të kenë qytetarët, fal avancimit të teknologjisë së informacionit. Ahmetaj u shpreh se Digjitalizimi i Kadastrës është një projekt, i cili synon që qytetarët të kenë shkresën e pronës së tyre me një klikim në telefon.

Arben Ahmetaj gjatë fjalës së tij në takimin ‘Dixhitalizimi i Kadastrës’, deklaroi se qytetarët do e kenë mundësinë që të marrin dokumentet e pronës me një klikim.

Sipas zëvendëskryeministrit, aktualisht janë të digjitalizuar 700 mijë prona dhe pritet që brenda dy viteve ky numër të shkojë në 4 milionë. Gjithashtu ai theksoi se gjatë vitit 2022 do të bëhet digjitalizimi i të gjitha pronave në zonën e bregdetit.

“Qytetarët nuk do të kenë përballë kadastrën, por do të kenë një sistem, i cili në arkivat e veta digjitale, i ka të gjitha transparente. Dhe me një klik ti do kesh shkresën e pronës në telefonin tuaj.

Çfarë është kjo? Kjo është një betejë me të kaluarën. Betejat me të kaluarën nuk janë të thjeshta. Unë prapë i referohem arkivës. E patë Arkivën, dukej si një nga kështjellat e fundit të së kaluarës, si ato librat e vjetra të letërsisë së franceze ku profilizohej ai punonjësi me syze në fund të korridorit në një mal me letra me pluhur. Ato janë arkivat, nuk janë prekur prej 30-vitesh. Dikush do thotë po mburreni që po filloni t’i bëni tani? Jo nuk po mburremi aspak, thjesht po bëjmë punën tonë. Kemi filluar punën tonë për Shqipërinë 20-30, ku qytetarët të jenë të çliruar nga zinxhirët e burokracisë.

Duhet ta pranojmë se shumë është bërë në teknologjinë e informacionit. 95% e shërbimeve janë online. Kur e nisëm këtë punë kishte shumë skeptikë që thoshin “jo nuk bëhet, jo shqiptarët duhet të presin te dritarja e zyrës ta shohin punonjësin në sy, të prekin letrën”, por ja ku jemi sot. Kultura e shoqërisë po shkon te lehtësimi i jetës së tyre përmes digjitalizimit. Kemi shumë punë për të bërë, do bëhet në dy faza, në vitin 2022 do marrim gjithë vijën e bregdetit dhe do ta digjitalizojmë të gjithë arkivën e asaj pjese, gjithashtu paralel po bëhet përmirësimi i sistemit që të kalojmë nga 700 mijë prona të kalojmë në 1 milion e 700 mijë dhe brenda dy viteve të kalojmë në 4 milionë prona”, tha Ahmetaj.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *