Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile Bledar Doracaj ka dhënë dorëheqjen pas më shumë se 7 vite e gjysmë në këtë post.
Burime bëjnë me dije se Doracaj pritet të emërohet në një tjetër detyrë në Kontrolli i Lartë i Shtetit. Në përshëndetjen e tij të lamtumirës për kolegët, Doracaj thotë se largohet nga drejtimi i DPGJC-së me ballin lart dhe me plot arritje, të cilat ua dedikon atyre. Doracaj thotë po ashtu se në 30 vite, ja dolën që të bëjnë listat më të mira të certifikuara edhe nga misioni i OSCE/ODHIR.
“Kolege, në radhë të pare uroj të jeni mirë me shëndet! Me lejoni te ndaj me Ju, vendimin tim që pas 7,5 vitesh në DPGJC të largohem nga kjo detyrë me ballin lart dhe plot arritje, te cilat jua dedikoj secilit nga Ju! Duke Ju uruar shëndet familjarisht dhe suksese në punën Tuaj, faleminderit nga zemra Edi Ramës edhe ministrit Çuçi që besuan këtë detyrë te unë deri sot! Në 30 vite, sëbashku ja dolëm të bëjmë listat më të mira, të certifikuara edhe nga misioni i OSCE/ODHIR”, shkruan ai.
Bledar Doracaj, me profesion jurist, u emërua në krye të Gjendjes Civile si drejtor i përgjithshëm kur në pushtet erdhën socialistët, në mandatin e tyre të parë në vitin 2013. Doracaj ka garuar për deputet në Tiranë nën siglën e PS, por nuk ka arritur ta fitojë mandatin
/Priza.al/