Detaje të reja janë hedhur në dritë nga ekzekutimi i 46-vjeçarit Bardhok Pllanaj në Shkodër, mbrëmjen e së dielës. Bardhok Pllanaj, para atentatit ka qenë së bashku me bashkëshorten në Shkodër, pranë spitalit për të vizituar një të afërm. Më pas, janë kthyer në shtëpi. Pasi ka lënë të shoqen, ka dalë nga banesa dhe pak metra më tej është qëlluar për vdekje.
Nga hetimet e deritanishme të kryera nga Policia e Shkodrës, ka rezultuar se mjeti i përdorur nga autorët në krim, i cili u dogj menjëherë pas ngjarjes, tip “Passat”, me targa FV140MT, është vjedhur 1 vit më parë në Tiranë. Nga verifikimet e kryera nga grupi hetimor, burimet bëjnë me dije se ka rezultuar që autorët i kishin ndërruar targat e këtij mjeti përpara se të kryhej krimi, 50 metra larg banesës së 46-vjeçarit Pllanaj.
Në brendësi të tij, policia ka gjetur dhe sekuestruar 2 armë zjarri automatike model 56; 4 krehër dhe 18 gëzhoja, ndërsa në vendin e ngjarjes u gjetën 80 gëzhoja.
Armët e zjarrit ishin me numër serial të rregullt, dhe po analizohen për të parë nëse rezultojnë të regjistruar më herët apo janë përdorur në ngjarje kriminale.
Ndërsa në automjetin “Range Rover”, me targë AA531ZY, të viktimës Bardhok Pllanaj, policia sekuestroi 2 aparate celulare, të cilat do të zbërthehen për të parë komunikimet e fundit të viktimës, pasi nuk përjashtohet mundësia që ta kenë nxjerrë në pritë.
132 gëzhoja u gjetën në vendin e ngjarjes ku u ekzekutua Bardhok Pllanaj, ndërsa automjetin e tij e kanë goditur 40 plumba, 18 prej të cilëve përfunduan në trupin e 46-vjeçarit, mes të cilëve një në kokë dhe dy në zemër që ishin fatalë.