Ardian Çapja ka lënë ambientet e spitalit të Kardiokirurgjisë së QSUT-së, dhe është transferuar në spitalin e burgut. Ardian Çapja, i akuzuar për vrasjen e Gentian dhe Nezir Beqirit, është lënë në masën “arrest me burg”. Masa iu dha në spitalin e QSUT-së ku dhe Çapja ndodhej i shtruar pas problemeve që ka shfaqur me zemrën. Më herët, gjyqtarët, prokurorët dhe avokati zbritën në spitalin e QSUT-së, aty ku dhe u dha masa e sigurisë.
Çapja u vu në pranga pak ditë më parë, pasi akuzohet për vrasjen e babë e bir, Gentian dhe Nezir Beqiri në vitin 2012, ndërsa është shpallur në kërkim nipi i tij Florenc Çapja.
Ardian Çapja, një emër i njohur në qytetin e Elbasanit për shkak të tre atentateve të cilave u ka shpëtuar dhe ngjarjeve ku është përfshirë, akuzohet se ka marrë pjesë në ekzekutimin e Gentian dhe Nezir Beqirit (babë e bir), ngjarje e ndodhur në vitin 2012.
Gjatë prangosjes së tij u sekuestrua edhe një kallashnikov, pesë radio dhe uniforma policie. Për të njëjtin krim është shpallur në kërkim edhe Florenc Çapja, nipi i Ardianit. Në momentin që forcat RENEA kanë shkuar në shtëpinë e Ardian Çapjas për ta arrestuar atë, brenda kanë gjetur edhe një person tjetër të shpallur në kërkim, Ardi Çekani. Emri i Çapjas doli nga dëshmia e të penduarit Ervis Bardhi.