Një telefonatë ka shqetësuar autoritetet në Kosovë, pasi një person ka kërcënuar për të sulmuar një person në një spital. Policia e Kosovës ka njoftuar se është kontaktuar nga një person, i cili ka kërcënuar se do të sulmonte dikë në spital. Menjëherë policia është mobilizuar për sigurinë e spitaleve në të gjithë Kosovën, pas thirrjes nga një person ende i paidentifikuar.
Fillimisht ishte zëdhënësi i PK-së për rajonin e Veriut, Besim Hoti, i cili njoftoi për rastin. Ai ka thënë se që nga mëngjesi, pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë ndaluar automjetet që hyjnë në zonën ku ndodhet Qendra Shëndetësore në Mitrovicën e Veriut dhe po i kontrollojnë.
I kontaktuar nga Gazeta Online Insajderi, Hoti tha se për këtë është raportuar në nivel qendror në Prishtinë.
“Është raportuar në nivel qendror në Prishtinë, për arsye parandaluese, policia po siguron spitalet në të gjithë Kosovën dhe jo vetëm në Veri”, ka thënë ai.