Në Shqipëri, Gjykata e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së posaçme, SPAK, për vënien në sekuestro të pasurive të ish gjyqtarit të Gjykatës së Lartë Admir Thanza Në vitin 2018 Thanza u rrëzua nga procesi i Vettingut. Ai u gjet me probleme në të tria kriteret e rivlerësimit, përfshirë atë të pasurisë, e cila, sipas përfundimeve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nuk justifikohej me burime të ligjshme.
Kjo është dhe arsyeja përse SPAK, ashtu siç ka vepruar dhe me disa ish gjyqtarë të tjerë të Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë, nisi hetimet dhe ndaj tij, duke kërkuar së fundmi vendosjen e sekuestros ndaj një apartamenti dhe një garazhi në pronësi të Thanzës, në Tiranë.
Rasti i ish gjyqtarit Thanza, bëri bujë pasi gjatë procesit të Vettingut u zbulua se ai kishte patur një dënim për vjedhje në Itali, të cilin nuk e kishte deklaruar. Një vit më pas, kjo i kushtoi atij dhe një dënim me 18 muaj shërbim prove për falsifikim të formularit të dekriminalizimit.
KLP shkarkon prokurorin Kokona me kërkesë të ILD-së
Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) vendoi sot të shkakojë nga detyra prokurorin e Pogradecit Shkëlqim Kokona “për shkelje të rënda profesionale, që diskretitojnë pozitën dhe figurën e prokurorit”. Kërkesa për shkarkim ishte paraqitur nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë ILD) Artur Metani, pas një hetimi të nisur ga një informacion i Prokurorit të Përgjithshëm, për shkelje procedurale gjatë veprimtarisë hetimore, përfaqësimit të ndjekjes penale në gjykim, si dhe për shkelje të normave etike nga ana e prokurorit Kokona.
Sipas një njoftimi të ILD-së “nga hetimi disiplinor mbi veprimtarinë e magjistratit në periudhën 2018-2021 u provua se magjistrati ka sjellje të përsëritur refuzuese në mosmarrjen në dorëzim të dosjeve; ka mospjesëmarrje të përsëritur në seanca gjyqësore; ka kryer përfundim të çështjeve me vendim si prokuror, pa proceduar me kalimin e tyre me kërkesë në gjykatë dhe mosnxjerrje të urdhërave për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore të dënimit me burgim”.
Po ashtu sipas ILD-së, rezulton “e provuar se nga ana e magjistratit, ka patur shkelje të përsëritur dhe të rëndë të rregullave të solemnitetit, rregullave të mirësjelljes në marrëdhëniet me palët, me drejtuesit e prokurorisë, me gjyqtarët, me oficerë të policisë gjyqësore, si dhe me personelin e adminstratës së prokurorisë dhe të gjykatës”.
Inspektori ka vlerësuar në përfundim se sjelljet e prokurorit “kanë sjellë shkelje të rënda profesionale, diskretitim të pozitës dhe figurës së prokurorit, si dhe kanë cënuar besimin e publikut te drejtësia”.
/Burimi: VOA/