Saranda është një prej qyteteve më turistike dhe më të vizitueshme në Shqipëri, sidomos gjatë verës, kur një lum turistësh nga i gjithë vendi dhe shumë shtete të huaja, pushojnë aty.
Por Saranda është edhe një prej qyteteve më të preferuara sidomos prej turistëve çekë, që sidomos në vitet e fundit e kanë frekuentuar jo pak.
Për këtë qëllim, Çekia ka ngritur ditën e sotme një Konsullatë Nderi në Sarandë. Mësohet se konsullata është hapur për shkak të interesit të madh të qytetarëve çekë, për të vizituar Sarandën.
Për të inauguruar hapjen e Konsullatës, ka qenë i pranishëm në Sarandë edhe ambasadori çek në Shqipëri, Jaroslav Ludva.
Ludva tha se, kjo Konsullatë do të drejtohet nga konsullja e Republikës Çeke për Qarqet Vlorë dhe Gjirokastër, Lolita Poda.
Mesatarisht janë rreth 15 mijë qytetarë nga Çekia që vizitojnë Shqipërinë si vend turistik çdo vit.
/Priza.al/