Ish-themeluesi i PD dhe ish-ministri i Bujqësisë në kohën e qeverisjes së Sali Berishës, Rexhep Uka i ka përcjellë një mesazh të fortë ish-kryeministrit nga Kuvendi Kombëtar i PD.
Rexhep Uka ka kujtuar kohën kur Mihail Gorbaçov tentoi të bëjë një epokë të dytë në Rusi, por dështoi pasi sipas tij, nga 70 milionë votues që kishte në fillim, mori vetëm 0.2%. Më tej, duke u ndalur te beteja që Sali Berisha ka nisur me SHBA, Uka deklaroi se kur ne të arrijmë të rregullojmë Amerikën, edhe planetit do ja ndryshojmë emrin.
“Edhe Gorbaçov kur tentoi të bëjë një epokë të dytë, duke kandiduar për president, nga 70 milionë votues, mori vetëm 0.2%. Nuk bëri dot epokë më. Kambana bie për ata që kanë vesh. Bashkë kemi qenë në një rresht, në një front, madje disa prej tyre shumë përpara nesh. Gjithçka është njerëzore, por nëse humbasim frymën, mbarojnë edhe hyjnorja, edhe tokësorja. Te ne janë shfaqur të njëjtat sëmundje
Ajo që e quajtëm perëndim mund dhe duhet të na shërbente si shembull. Nuk ishte nevoja që ne të krijonim një hibrid. Nuk do kisha dashur kurrë, edhe një bashkëpatriot, protagonist që të rregullojë Amerikën. Kur të arrijmë këtë, edhe planetit do ja ndryshojmë emrin. Ky popull e ka zgjedhur herët, shumë herët, vetë mikun. Dhe ju e dini fort mirë që ne shqiptarët zgjedhjen e mikut e kemi nga kategoritë më të larta të jetesës. E ka zgjedhur vetë. Është bio. E ku me mujt me gjet forcë me përballu vullnetin e popullit. Vullnet i popullit, vullneti i Zotit. Sot nuk është koha për mllefe. Është e pafalshme të targetojmë një fajtor dhe t’i targetojmë atij gjithë faturën për gjendjen e opozitës. T’i kthehemi misionit, ai të con drejt mandatit. Përfitoj nga rasti të deklaroj pas tre vitesh në pension dhe pensionin tim politik, nuk do harroj kurrë në një takim konfidencial me Ibrahim Rugovën, kur tha “o bëni politikë, o shkoni me dhen”. Unë dhen nuk kam, por do punoj tokën”, tha Uka.
/Priza.al/