Kush është gruaja që do të drejtojë politikën e Jashtme e Gjermanisë/ DW: Ja pse puna e saj mund të kthehet në ‘mollë sherri’…

Ministrja e re e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, ka filluar pa drojë e me energji detyrën e re. Por në perspektivë, politika e saj mund të kthehet në ‘mollë sherri’ për qeverinë e re gjermane, mendon Jens Thurau.

Ministren e re të Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock, nga “Të Gjelbërit”, nuk mund ta akuzosh se nuk po sjell hov në detyrën e re. Sapo erdhi në këtë post, ajo filloi një program vizitash të menjëhershme. Në Paris, Bruksel, Varshavë, pjesëmarrje në takimin e Ministrave të Jashtëm të “G7”-s në Liverpool, pastaj në konferencën për çarmatimin në Suedi.

Baerbock po tregon, se mund të marrë vendime. Pas dhënies së dënimit në rastin e vrasjes në Kopshtin Zoologjik në Berlin, ku thuhet qartë, se vrasësi ka vepruar me porosi të instancave ruse, Baerbock, i shpalli dy punonjës të ambasadës ruse si persona të padëshiruar dhe thirri ambasadorin rus në Berlin. Për politikanen 40-vjeçare po flitet gjithkund.

Ndryshimi përballë vijimësisë

E megjithatë ka gjasa që politika e jashtme të kthehet në një “mollë sherri” të vazhdueshme brenda koalicionit trepartiak të SPD-së, Të Gjelbërit dhe liberalëve, FDP. Ku mund të kalojnë kryesisht vijat e konflikteve?

Baerbock kërkon të ndryshojë shumë, ajo do t’i japë një vlerë të re politikës për të drejtat e njeriut dhe mbrojtjes së klimës me ardhjen në postin e saj.

Kurse kancelari, Olaf Scholz, i SPD-së, ka më shumë parasysh vijimësinë e politikës së Angela Merkelit. Herët a vonë në këtë drejtim do të plasë grindja.

Për shembull Kina: Zyra e kancelarit nuk e hedh poshtë vërtet, që Scholz që në mesin e tetorit, pra kohë para zgjedhjes si kancelar i ka bërë të ditur Kinës, se në kursin gjerman kundrejt Kinës nuk do të ndryshojë shumë.

Që do të thotë, se interesat ekonomike kanë prioritet. Si lajmsjellës me gjasë ka shërbyer presidenti i Këshillit të BE, Charles Michel, raportojnë njëkohësisht disa media. Kjo kur “Të Gjebrit” dhe FDP në marrëveshjen e koalicionit, ia dolën që të përmendin shprehimisht shkeljet e të drejtave të njeriut të Kinës në Hongkong.

Baerbock kërkon një politikë të orientuar nga vlerat, por se ç’do të thotë kjo konkretisht mbetet e paqartë. E menjëherë kreu i fuqishëm i grupit parlamentar të SPD në Bundestag, Rolf Mützenich i tregoi kufijtë ministres së re të Jashtme, kur ai pavarësisht zemërimit të “Të Gjelbërve” dhe FDP tha, se politika e jashtme përcaktohet në masë të madhe në zyrën e kancelarit.

Në lidhje me politikën e Europës ky është fakt, si u desh ta kuptonin shumë ministra të Jashtëm nën Angela Merkelin.

Molla tjetër e sherrit, ‘Nord Stream 2’

Shembull tjetër – Rusia: Reagimi i ashpër i Baerbock pas vendimit për vrasjen në Kopshtin Zoologjik e gjen miratimin e të gjithë anëtarëve të qeverisë. Por ajo tjetra që mendon Baerbock, pra që të mos e lerë të futet në rrjet gazsjellësin Nord Stream 2, nuk është e qartë si do të marrë fund.

Sigurisht nëse Rusia do të sulmojë Ukrainën, fundi i “Nord Stream 2” do të ishte një opsion për europianët. Por vetëm atëherë.

Socialdemokratët kanë qenë dhe janë mbështetës të biznesit të gazit me Rusinë. Kancelari Scholz, u shpreh se, gazsjellësi nuk është më problem politik, autoritetet duhet ta miratojnë atë ose jo.

Duke e ditur, se Gjermania ka nevojë për gazin, kur në vitin e ardhshëm edhe centralet e fundit atomikë gjermanë, do të dalin nga rrjeti dhe zgjerimi i energjive të rinovueshme nuk po ecën aq shpejt si e dëshirojnë “Të Gjelbërit”.

Klima tani temë e politikës së jashtme

Si shembull duhet marrë edhe çarmatimi: Baerbock kërkoi në Suedi më pak armë atomike. Por ende në Gjermani janë të stacionuara armët atomike amerikane, që në rast serioz do të hidheshin nga avionë gjermanë.

Ky quhet partneritet nuklear. Dhe do të mbetet kështu edhe nën qeverinë e re. Madje gjermanët duan të prodhojnë avionë të rinj për këtë. Kështu kërkesa për më pak armë atotomike mbetet vetëm një apel i ministres së re të Jashtme, asgjë më shumë.

Por fakti që Baerbock ka tërhequr tek vetja kompetencën për negociatat ndërkombëtare për klimën, që deri më tani i kishte si kompetencë Ministria e Mjedisit mund të quhet një veprim i zgjuar që e ngre më lart Ministrinë e Jashtme.

Rrjedhojë e një hapi të duhur për një ministre të gjelbër. Sido që të jetë, politika e jashtme gjermane tani do të bëhet më interesante se më parë, gjë që vetëm mund ta përshëndesësh.

/Burimi: DW/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *