Shqiptari humb jetën në burgun e Maqedonisë së Veriut/ Vuante nga kanceri, nuk iu dha asnjë mjekim! Nisin verifikimet

Azbi Kaba, një shqiptar nga Peshkopia, i cili vuante nga kanceri, u la të vdiste në burg në Idrizov të Maqedonisë së Veriut, pa asnjë ndihmë. Ngjarja e rëndë u bë me dije  nga burime brenda burgut në Idrizov.

47 vjeçari Kaba ishte diagnostikuar prej 5 muajsh me kancer, e pavarësisht kësaj nuk ishte shtruar në spital, e nuk iu dha asnjë mjekim e asnjë ndihmë. Ai vdiq sot në 10 të mëngjesit në qeli.

Në vizitën e parë dhe të fundit që kishte bërë në spital, mjekët i kishin dhënë Kabës vetëm 2 muaj jetë, e megjithatë autoritetet e lanë atë të vdiste në qeli, ku të vetmen ndihmë e merrte nga shokët e tij në burg. Pavarësisht gjendjes në të cilën ndodhej 47-vjeçari dhe trajtimit që i bëhej në burg, asnjë përfaqësues nga Ambasada Shqiptare në Shkup nuk e vizitoi atë.

Në burg nuk kishte mjekë, ndërsa Kabës nuk i dhanë as edhe një qetësues për t’i lehtësuar dhimbjet. Ai ishte i dënuar me 7 vite burg pasi ishte kapur me drogë, ndërsa i kishin mbetur për të shlyer edhe 4 vite. Në një prononcim, zv.ministri i Drejtësisë në Maqedoni të Veriut thotë se kanë nisur verifikimet për rastin.

Ndërsa Zv.drejtori i burgut në Idrizov në Maqedoni të Veriut, Femi Jonuzi, tha se atij i ishte dhënë ndihma mjekësore. Sipa Jonuzit, shqiptari ishte dërguar disa herë në spital dhe çdo ditë i jepej ndihmë, ndërsa theksoi se i ishte dërguar edhe kërkesë gjykatës për ta liruar, por vendimi u kundërshtua nga prokuroria.

“Jemi munduar, e kemi njoftuar gjykatën që t’i ndërpritej dënimi dhe Gjykata solli vendimin, por u ankua prokurori dhe ende nuk kemi përgjigje. Është dërguar në spital, me udhëzim të mjekut të burgut dhe çdo ditë i është dhënë ndihma e shpejtë për t’i bërë trajtim. Edhe dje ka qenë në spital dhe pasi e kanë sjellë në burg, rreth mesnatës ka ndërruar jetë. E kemi dërguar në spital me dhjetëra herë për mjekim. Ishte dënuar me 7 vite. Kushtet në burg janë të njëjta si për të gjithë të burgosurit në këtë burg. Ne i bëmë përpjekjet që ai të lirohej dhe Gjykata e dha vendimin për ndërprerjen e dënimit, por pas ankesës së prokurorisë, nuk na erdhi më përgjigje dhe nuk u lirua. Kemi komunikuar edhe me konsullin shqiptar, e kemi vizituar”, tha ai.

Ndërkohë, të burgosur të tjerë shqiptarë në këtë burg të Maqedonisë vuajnë dënimet të braktisur totalisht nga autoritetet shqiptare. Qelitë janë të mbipopulluara dhe të burgosurit pa të drejtat elementare.

/Burimi: Shqiptarja/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *