Pas mbajtjes së Samitit për Demokraci, Departamenti Amerikan i Shtetit do të nisë një sërë iniciativash për të luftuar korrupsionin dhe për të forcuar demokracinë. Lajmi bëhet me dije nga Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim nëpërmjet një postimi në Twitter, e cila ka shpërndarë edhe njoftimin e DASH.
“Në vijim të Samitit për Demokraci, Departamenti i Shtetit po fillon iniciativa për të luftuar korrupsionin, të forcojë reformat demokratike dhe mbrojë zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe proceset politike”, shkruan Yuri Kim.
Në njoftimin e DASH thuhet se do të rriten përpjekjet kundër korrupsionit, duke vendosur edhe ekspertë amerikanë me përvojë në vendet partnere për të hetuar.
“Departamenti i Shtetit dhe i Drejtësisë synojnë të vendosin ekspertë me përvojë të qeverisë amerikane kundër korrupsionit për të përmbushur nevojat emergjente dhe për të ndërtuar kapacitete në vendet partnere për të hetuar, ndjekur penalisht dhe gjykuar korrupsionin. Ky fond do të lehtësojë gjithashtu koordinimin midis vendeve për rastet, do të ndihmojë në gjurmimin dhe rikuperimin e të ardhurave të korrupsionit dhe do të mbështesë reformat e mëtejshme ligjore dhe institucionale”, thuhet mes të tjerash në njoftimin e DASH.
Me 9 dhe 10 dhjetor, Presidenti amerikan Joe Biden organizoi Samitin për Demokraci dhe bëri bashkë udhëheqësit botërorë, shoqërinë civile dhe sektorin privat, me qëllim forcimin e demokracisë, mbrojtjen kundër autoritarizmit, luftën kundër korrupsionit dhe respektimin e të drejtave të njeriut.
/Priza.al/