Shkelmoi derën në selinë blu, i urdhëruar nga Flamur Noka?/ Basha: Arrestoni Fatjon Dautajn! Trafikant që kërkohet në Britani

Partia Demokratike ka kallëzuar Fatjon Dautin, si personin që shqelmoi derën e sallës së mbledhjeve në selinë e PD ku zhvilluan më pas mbledhjen Sali Berisha me të ashtuquajturin Komisioni i Rithemelimit.

Kryedeomkrati Lulzim Basha ka reaguar në lidhje me hapjen me forcë të zyrave të selisë së Partisë Demokratike nga shoqëruesi i ish-kryeministrit Sali Berisha, Fatjon Dautaj.

Basha përmes një konference të jashtëzakonshme nga selia blu i kërkoi prokurorisë shqiptare ta arrestojë shoqëruesin e Berishës, pasi rezulton një person i shpallur në kërkim për drogë në Britani. Kryedemokrati apeloi gjithashtu ndaj autoriteteve britanike që të marrin në shqyrtim ekstradimin e Dautaj për vuajtjen e dënimit.

“Në vend që të merremi me vjedhjen e shekullit, të shohim në pranga anëtarët e kabinetit, dorëheqjet e kreut të qeverisë dhe vënien e tij para drejtësisë, sot po merremi prape me Sali Berishën, i cili nga dëshpërimi për dështimin e një lëvizje false, po zbrazet mbi dyert e PD, i shoqëruar nga eksponenti i krimit të organizuar, siç është Fajton Dautaj, një prej narko –trafikantëve në Britani.

Në prani të një familjari të tij, ish-punonjës i Policisë, Dritan Berisha. Ai është i kërkuar nga agjencia britanike dhe përfaqësuesit e tyre në Tiranë, që ta shqyrtojnë praninë e tij. Ja ku e kanë, e kërkojnë në Angli, por është në selinë e PD, duke shkelmuar derën e PD. Ky informacion do iu përcillet organeve ligjzbatuese.

Hyrja e dhunshme në zyra, vetëm ekspozon dëshpërimin e Sali Berishës, që e lexuan dje. Dëshpërim që vjen nga fakti se e ka kuptuar se nuk është pakicë, por i vetëm. I ndjekur nga një pakicë e çuditshme që e kanë urryer gjithmonë, që shpresojnë që të kapin ndonjë copë, dhe nga një pjesë e demokratëve të zhgënjyer. Më lini ta them fare qartë; PD i ka mundësitë që të mbrojë integritetin e institucionit të saj, nëse dikush kërkon që të përdhos institucionin. PD i kërkon prokurorisë që të arrestojë Fatjon Dautaj, se kërkohet si narko-trafikant në Britani”, tha Basha.

Sipas PD, Dauti është person me ndikim në një rrjet kriminal shqiptar me qendër në Londër i përfshirë në importimin e kokainës, prodhimin e kanabisit, trafikim të njerëzve dhe pastrimit të parave. Me një njoftim për mediat, PD shprehet se ai u urdhërua nga Flamur Noka për të shpartalluar derën e sallës në selinë e PD.

“Pas analizimit të pamjeve filmike rezulton se i urdhëruar nga deputeti Flamur Noka, shtetasi Fatjon Dauti, person me precendetë të rëndë kriminal, që shoqëronte Sali Berishën, ka dhunuar ambientet e selisë qendrore të Partisë Demokratike.

Sipas Ministrisë së Brendshme dhe Agjencisë Kombëtare të Krimit në Britaninë e Madhe, shtetasi Fatjon Dauti është cilësuar person i aftë për dhunë ekstreme dhe një anëtar me ndikim në një rrjet kriminal shqiptar me qendër në Londër i përfshirë në importimin e kokainës, prodhimin e kanabisit, trafikim të njerëzve dhe pastrimit të parave.”, thuhet në reagimin e PD.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *