Informacione të reja publikohen lidhur me ekzekutimin e Hekuran Billës në Tiranë, një vit e gjysmë më parë. Emisioni “Në Shënjestër” ka sjellë dëshmi të një prej miqve të Billës, të cilat mund të hedhin dritë në ndëshkimi e autorit të dyshuar.
Një atentat i rëndë tronditi mbrëmjen e herët të 11 qershorit 2020, Tiranën. Në atë, që fillimisht u duk si një aksident, por që shpejt u kuptua se breshëria e plumbave të derdhur, ishin një sulm i organizuar, i mirëkoordinuar.
Hekuran Billa, 40 vjeç, i sapoliruar me kusht nga burgu, po lëvizte me makinën e tij tip “BMW” X6, ngjyrë të bardhë, në zonën e ‘Komunës së Parisit’, kur automjeti i tij ra në pritë të armatosur.
Siç treguan më pas edhe pamjet filmike, atentatorët kishin llogaritur me përpikmëri çdo lëvizje të tij dhe jo vetëm, por kishin mbajtur në vëzhgim të gjithë personazhet e afërt që lëviznin rreth tij, për të mos i lënë asgjë rastësisë.
Natën e ngjarjes, Billa ishte nisur për të marrë motrën e tij pranë një qendre tregtare. Aty, ku ajo kishte në pronësi, një dyqan këpucësh. Ishte ora 22:00 e mbrëmjes, kur vetëm pak metra larg hyrjes së objektit, makina me të cilën udhëtonte u zu në pritë nga breshëria e plumbave.
Gjithçka, ndodhi në pak sekonda. Fillimisht, një automjet i parkuar dysh i bllokoi rrugën. Më pas, sapo makina me Billën në timon uli shpejtësinë, mjeti tip ‘Benz’ me portobagazh, e parakaloi dhe e qëlloi furishëm në xhamin e parmë të shoferit.
Edhe pse preja e atentatit u përpoq të largohej, duke u përplasur me dy automjete të tjerë, plumbat e shumtë që u derdhën mbi të nuk i dhanë asnjë mundësi të shkonte më tej. Atentatorët e kishin menduar gjithçka.
Për të shmangur panikun dhe për t’i dhënë mundësi vetes për t’u larguar në kohë, ata përdorën një automatik MP5 me silenciator. Kjo ishte edhe arsyeja përse qytetarët që popullonin zonën në atë moment, menduan se kishin të bënin me aksident dhe jo me një atentat.
Policia gjeti në vendngjarje, 30 gëzhoja, ku 11 plumba, dy në kokë dhe një në trup, i morën jetën menjëherë Hekuran Billës.
Personi i fundit që e shoqëroi në të gjithë përditshmërinë e tij, ishte miku i tij, Elton Puci. Personi, që tregoi përpara policisë të gjitha lëvizjet që 40-vjeçari kreu ditën para ekzekutimit.
Një dëshmi interesante që hedh dritë mbi itinerarin që mund të kenë ndjekur edhe vrasësit që ishin vënë në gjurmë të viktimës së tyre.
Dëshmia, Elton Puci, mik i Hekuran Billës
“Rreth orës 08:00, kam komunikuar në telefon me Hekuran Billën dhe e lamë të takoheshim tek Kthesa e Kamzës pasi do iknim në Krujë sepse ai donte të merrte një vërtetim në Gjykatë që ishte me detyrim paraqitje. Pasi jemi takuar, u nisëm në drejtim të Krujës me automjetin e Hekuranit, një ‘BMW X6’, me ngjyrë të bardhë, me targa angleze. Diku rreth orës 09:30 kemi arritur në Krujë dhe aty takuam vëllain e avokatit të Hekuranit, i cili quhet Aldo Tabaku. Të tre u ulëm në një lokal. Aty erdhi dhe avokati Aldo i cili i dha vërtetimin Hekuranit. Diku rreth një orë pasi ishim ulur, në tavolinë erdhi dhe një djalë rreth 32-33 vjeç, i cili quhej Redi dhe mesa di unë ka qenë në burg me Hekuranin. Rreth orës 11:00, u ngritëm dhe u nisëm për në Tiranë. Rreth orës 12:00 mbërritëm tek ‘Casa Italia’ dhe aty u ndamë.
Rreth orës 14:00 kemi dalë sërish dhe jam takuar me shokun e tij që quhet Klinton Terziu dhe jemi nisur së bashku në drejtim të Durrësit pasi kisha për të marrë një automjet në portin e Durrësit, të cilin e kishte porositur Hekurani për kompaninë e tij. Rreth orës 15:00 kemi arritur në Port dhe kemi filluar procedurat e zhgodanimit të automjetit. Nga porti jemi larguar rreth orës 20:00.
Më pas kam marrë tre valixhe të cilat ndodheshin në automjet dhe kam shkuar për t’ia çuar Hekuranit i cili ndodhej në një lokal, në afërsi të Urës së Dajlanit.
Kur kam arritur aty, kam parë Hekuranin nën shoqërinë e një vajze bionde që nuk e njihja. Rreth orës 21:00 Hekurani u nis drejt Tiranës.
Kemi shkuar në shtëpinë e tij në fshatin Domje, për të lënë automjetin e zhdoganuar.’
Ky është edhe momenti i fundit kur miku i tij u pa në të gjallë me Hekuran Billën. Vetëm pak orë më pas ai do të mësonte edhe lajmin e ekzekutimit të tij. Informacionin e mori nga vëllai i Hekuranit.
“Pasi kemi lënë automjetin jemi nisur në drejtim të Kamzës. Pa hyrë në Kamëz, më ka telefonuar vëllai i Hekuranit i cili quhet Elmi dhe më ka thënë se kishin qëlluar me armë Hekuranin. Jam kthyer menjëherë në drejtim të Domjes pasi mendova se kishte ndodhur tek shtëpia e Hekuranit. Gjatë rrugës mësova se ishte bërë një vrasje në ‘Komunën e Parisit’. Meqenëse isha afër Spitalit Ushtarak shkova për të parë se mos e kishin çuar aty Hekuranin. Pasi pyeta, më thanë se nuk kishte asnjë me këtë emër në spital. Aty gjeta vëllain e tij, Elmiun dhe motrën e tij, të cilën e kam marrë me vete dhe jemi nisur në drejtim të qendrës “Kristal” në Komunën e Parisit. Kur mbërritëm aty mësuam se Hekurani ishte vrarë”.
Si në çdo krim tjetër të rëndë të këtij lloji, makina e autorëve, u gjet e shkrumbuar vetëm pak kohë pas ndodhjes së ngjarjes. Këtë herë në fshatin Prezë të Tiranës.
Automjeti që u përdor në krim, rezultoi më vonë, se ishte vjedhur në qytetin e Kukësit, ndërsa targat i përkisnin një tjetër automjeti të vjedhur në Lezhë. Në të njëjtën metodë me të cilën ishin kryer edhe krime të tjera të përmasave të ngjashme.
Ndërkohë që dyshimet ishin se një tjetër automjet e kishte ndjekur viktimën në Tiranë, përgjatë gjithë ditës së ngjarjes, përpara se të ekzekutohej atë mbrëmje në zonën e ‘Komunës së Parisit’.
Por kush ishte i interesuar të vriste Hekuran Billën dhe cili ishte aktiviteti i tij i shkuar kriminal dhe jeta e re që kishte krijuar për t’iu fshehur kundërshtarëve që kishte krijuar kohë pas kohe? Ku kishte ndryshuar edhe pamjen e tij.
Fizionomi e re, që me gjithë ndryshimet në gjeneralitete dhe portret, nuk mundën t’i shpëtojnë jetën. Kush ishte vajza bionde me të cilën ai shoqërohej muajt e fundit dhe lidhja e saj e dyshimtë me armiqtë e të dashurit të saj?
Cila ishte vrasja që ai kishte kryer në Britaninë e Madhe dhe për të cilën përndiqej?
Hekuran Billa që mbante edhe emrin e ndryshuar Herald Bilali, nuk ishte një emër i panjohur për drejtësinë e huaj dhe atë shqiptare.
Më 14 tetor 2006, ai ishte përfshirë në vrasjen e Prelë Markut, ngjarje kjo e ndodhur në “Park Royal”, në një bar në Londër, të cilin u akuzua nga drejtësia britanike se e qëlloi me një plumb në kokë, krim ku mbeti i plagosur edhe pronari i lokalit, Musa Rrahmani, si dhe dy persona tjetër.
Për këtë ngjarje, në 2008 Billa u shpall fajtor nga Gjykata e Kurorës Snaresbook në Britaninë e Madhe, me akuzën e vrasjes së 22-vjeçarit Prelë Marku, “Vrasje e mbetur në tentativë” dy herë si dhe “Plagosje me dashje”, ku për këto akuza u dënua me burgim të përjetshëm. Detajet e krimit u konfirmuan edhe përmes një shkrese që oficeri i kontaktit në Mbretërinë e Bashkuar iu përcolli autoriteteve shqiptare.
Dosja Hetimore
“Më datë 14.10.2006 është vrarë Prelë Marku dhe janë plagosur Petrit Brahoj dhe Agron Gjoni, ndërsa Musa Rrahmani u hodh nga dritarja për t’i shpëtuar plumbave.
Për këtë arsye Hekuran Billa u dënua me burgim të përjetshëm më datën 15.10.2008 nga Gjykata e Snaresbrook. Ky shtetas është arrestuar në Danimarkë më datë 02.09.2007 dhe është ekstraduar në Angli më datë 14.11.2007, ku ka rezultuar se Hekuran Billa alias Herald Bilali është gjetur fajtor për një vrasje të ndodhur të ndodhur mes dy bandash shqiptarësh dhe kosovarësh që vodhën njëhësorët e parkimit. Vjedhja nga këto dy banda ishte rreth 1. 2 milion paund në një vit”.
Përmes së njëjtës shkresë, konfirmohej se për ngjarjen ishin hetuar dhe gjykuar edhe 4 persona të tjerë, përkatësisht: Ermal Terziu, ishte gjendur fajtor për dhënie ndihmë të autorit; Kujtim Spahiu, ishte shpallur fajtor për vrasje dhe 3 tentativa vrasje, teksa dy persona të tjerë ishin shpallur të pafajshëm.
Ndërsa në një shkresë të dytë, zyra e oficerit ndërlidhës në Londër, i tërhiqte vëmendjen autoriteteve shqiptare lidhur mbi rrezikshmërinë e personit në fjalë, ku edhe pse ishte në burg, Hekuran Billa, sipas tyre, vazhdonte të ishte i përfshirë në krime.