Mbi 1 mijë familje në Torovicë të Lezhës prej 30 vitesh vuajnë mungesën e ujit të pijshëm. Ata shprehen se uji në këtë zonë vjen me orar dy herë në ditë.
Sipas tyre, autoritetet u kanë premtuar zgjidhje gjatë fushatës elektorale, por pavarësisht kësaj nuk është bërë asnjë investim, duke lënë që uji të përzihet me kanalin e ujërave të zeza.
“Nuk ka ujë të rregullt asnjëherë, ujin e marrim në lezhë ose kush ka hapur puse. Ka dy tre vite, gjithë tubat kanë dalë jashtë përdorimit. Uji i pijshëm është i përzier me kanalet e ujërave të zeza. Kur s’ke ujë s’ke as jetë as shëndet as të ardhme asgjë. Jemi ankuar gjithmonë. Kur vijnë votimet bëjnë premtime por asnjë s’kujtohet. Popullsia ka ikur për jetë më të mirë, këtu as rrugë as ujë. Këto janë baza e jetës. I kërkojmë autoriteteve të rregullojnë sepse uji edhe kur vjen në çezme vjen i turbull”, tha një banor i zonës.
“Ujë i pijshëm është shumë i pisët. Ka kohë që është këtu, unë shkoj mbush ujë në Lezhë, s’kemi çfarë bëjmë cdo javë mbushim bidona. Kjo ka zgjatur shumë kohë, janë bërë shumë premtime askush nuk na rregullon këtë problem. Qendra shëndetësore është për faqe të zezë. Gjithçka mund të jetë por qendër shëndetësore nuk është. Doktorët dhe infermierët janë shumë të mirë dhe të përkushtuar por ambientet që kanë ata janë të papërshtatshme. Janë për faqe të zezë. Ne kërkojmë që uji i pijshëm, qendra shëndetësore të jetë funksionale, pa kushte asgjë”, u shpreh banori.
/Burimi: Fax News/