Në Shqipëri skandalet po plasin si “breshëri automatiku”! Kur të gjithë që prej ditës së djeshme po merren me një listë “ekseli” që ka nxjerrë të dhëna sensitive dhe mbi të gjitha pagat e shumë personazheve të njohur dhe jo, duket se nuk kemi parë gjë akoma…!
Një skandal edhe më i madh, dhe mbase për të fashitur këtë të radhës, duket se do të plasë, pasi persona të caktuar mësohet se kanë në posedim dhe mund ta bëjnë publike, edhe listën me emrat e agjentëve dhe oficerëve të shërbimeve sekrete dhe atyre të inteligjencës në Shqipëri.
Këtë gjë e ka njoftuar që dje, me anë të një statusi në profilin e tij në “Facebook”, këshilltari për sigurinë i Presidentit të Republikës, Ilir Meta, ish-gazetari dhe analisti Ilir Kulla.
“Skandali me i madh qe nga themelimi i NATO-s, jane publikuar te gjitha te dhenat personale te gjithe ushtarakeve te nje vendi te NATO, perfshi te gjithe anetaret e Sherbimit Sekret Ushtarak (AISM), me emra, mbiemra, detyra dhe grada!”,- shkruan Kulla në statusin e tij.
Nuk e dimë nëse kjo është e vërtetë apo jo, por deri tani një pjesë e emrave të zyrtarëve të Shërbimit Informativ dhe të të tjera agjencive shtetërore, kanë dalë dhe janë bërë publik me emra dhe të dhëna të tjera, edhe në listën e djeshme për pagat.
Gjithsesi, nuk kemi as informacion nëse z. Kulla është në posedim ose jo të kësaj liste, ende të papublikuar.
Por nisur nga fakti që Shqipëria është një vend anëtar i NATO-s, e për më tepër në cilin do shtet lista të tilla janë një “sekret shtetëror”, pasi kanë të dhëna në lidhje me individët që kujdesen për sigurinë kombëtare, një ngjarje e tillë minimalisht duhet denoncuar në Prokurori.
Është detyra dhe përgjegjësia e z. Kulla, si një njohës i mirë edhe i të tilla situatave, që nëse është në dijeni të informacionit se kush e posedon këtë listë, të bëjë një kallëzim në Prokurori dhe të mos mjaftohet vetëm me një publikim statusi në rrjetet sociale.
Po ashtu është edhe përgjegjësia e organeve ligj-zbatuese që minimalisht të marrin një kontakt ose të thërrasin z. Kulla (si personazh publik), për të zbardhur nëse ky informacion është real apo një “shashkë”, që mbase hidhet në rrjet për ndonjë qëllim të caktuar.
Kur në Shqipëri po ndodhin çudira nga më të mëdhatë, nuk është aspak çudi që edhe lista të tilla nëse dikush i posedon, mund t’i bëjë publike, pa menduar për problemet që mund të lënë pas.
Por është detyrë e personave të ndërgjegjshëm, për më tepër kur kanë edhe funksione publike, ose që janë personazhe të njohur, që nëse konstatojnë problematika të tilla, apo kanë informacione të caktuara, t’u drejtohen organeve ligj-zbatuese për të dhënë dëshmitë e nevojshme.
/Priza.al/