SPAK ka mbyllur hetimet dhe ka çuar për gjykim ish-drejtorin e burgut të Lushnjës Judmir Shurdhi, e 5 punonjës, pasi kanë abuzuar me tenderat duke shpërdoruar detyrën.
‘Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, pasi ka kryer hetime në kuadër të procedimit penal nr. 26 të vitit 2020, në bashkëpunim me Drejtorinë e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Burgje, ka arritur të sigurojë prova të mjaftueshme dhe të kërkojë dërgimin e çështjes për gjykim, në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, të 6 (gjashtë) shtetasve, si vijon:
Judmir Shurdhi, me cilësinë e titullarit të IEVP Lushnje, në kohën e ndodhjes së ngjarjeve, për kryerjen e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës’ dhe “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” kryer në bashkëpunim, parashikuar respektivisht nga nenet 248 dhe 258 e 25 të Kodit Penal;
Mariglen Myftari, Erjon Çela, Miranda Idrizi, punonjës të IEVP Lushnje dhe Krenar Gozhina ish punonjes në IEVP Lushnje, për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258 e 25 i Kodit Penal;
Mariglen Myftari për veprën penale “Korrupsioni pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal;
Xhesika Kaja, për veprën penale “Moskallzimi i krimit” parashikuar nga neni 300 paragrafi i parë i Kodit Penal.
Nga hetimi, ka rezultuar se në procedurat e prokurimit me objekt: “Shërbim i transportit të punonjësve të rolit bazë”, me vlerë të fondit limit 3 163 333 lekë, të zhvilluar në vitin 2018, si dhe me objekt: “Shërbimi i transportit të punonjësve me uniformë” me vlerë të fondit limit 3 395 800 lekë pa tvsh, të zhvilluar në vitin 2019, nga Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale, Lushnje, janë evidentuar shkelje ligjore, të kryera nga shtetasit e mësipërm, të cilat formojnë elementët e veprave penale për të cilat janë akuzuar.
Konkretisht ka rezultuar se shtetasi Judmir Shurdhi, në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor, ka ngarkuar të njëjtët persona të jenë në cilësinë e anëtarit të Njësisë së prokurimit dhe Komisionit të vlerësimit të ofertave, ka miratuar shkeljet ligjore të kryera prej tyre, si në vitin 2018 ashtu edhe në vitin 2019, si dhe ka ushtruar presion ndaj vartësve të tij në vitin 2019 për kualifikimin e operatorit V.K. person fizik.
Anëtarët e Njësisë së Prokurimit, njëkohësisht edhe anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave kanë kryer një sërë shkeljesh në kundërshtim me kuadrin ligjor në fushën e prokurimit publik, duke shkelur barazinë dhe lirinë e pjesëmarrësve në tendera me qëllim kualifikimin e operatorit ekonomik V.K., person fizik në këto tendera, në bashkëpunim në vitin 2019 edhe me shtetasen Miranda Idrizi, anëtare e vetme e Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave.
Shtetasi Mariglen Myftari, në cilësinë e anëtarit të Njësisë së Prokurimit dhe të anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, në vitin 2019, ka kërkuar nga operatori ekonomik pjesëmarrës i vetëm në të dy procedurat e mësipërme të prokurimit, një shumë parash me qëllim shpalljen e tij fitues dhe në mungesë të dhënies së këtij përfitimi, ka proceduar me skualifikimin e tij.’- njofton SPAK.
/Priza.al/