Gjykata e Tiranës ka dënuar me 5 vite burg Vladimir Gjutën, i arrestuar me një armë me vete pranë selisë së PS-së në shkurt 2020. Gjuta u fajësua për “mbajtje pa leje të armëve luftarake” dhe për “mbajtje pa leje të armëve të ftohta”. Gjuta është pikasur me armë zjarri teksa qarkullonte rreth selisë së PS-së, 10 minuta para mbarimit të mbledhjes së Kryesisë së PS.
Ai u arrestua pranë zonës së njohur si “Dollari”, ndërkohë që pistoletën e kishte futur në çantë, ndërsa një plumb e mbante në gojë. Gjuta ka tentuar të futet me forcë në selinë rozë, në momentin që brenda ka qenë kryeministri Edi Rama, duke zhvilluar mbledhjen e Kryesisë së PS-së.
Qytetarët që kanë parë ngjarjen, deklaruan asaj kohe se Gjuta ka qenë i armatosur, në momentin që ka tentuar të hyjë në selinë e PS-së, por ky informacion nuk ishte i konfirmuar ende nga policia.
Vladimir Gjuta është një emër i njohur i botës së krimit, pasi ai akuzohet se disa vite me parë është përfshirë në një konflikt me ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri dhe është ndër autorët e vendosjes së sasisë se tritolit ndaj farmacisë së babait të ish-ministrit.
“Lëre të qetë familjen Gjuta, ndryshe do të kesh pasoja”! Ky ishte një nga mesazhet që Vladimir Gjuta dërgoi në celularin personal të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri në vitin 2015. Duke marrë parasysh se kush e dërgonte mesazhin kërcënues, ish-ministri Tahiri u mor në mbrojtje nga forcat RENEA.
Në vitin 2015, Vladimir Gjuta së bashku me Ernest Gjutën dhe Baftjar Brukën u arrestuan me akuzën për vendosjen e tritolit në farmacinë e babait të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, dhe vendosjen e një mine të pashpërthyer të gjetur pranë vendit, ku ai parkonte automjetin në rrugën “Muhamet Gjollesha”.