‘Në Shqipëri festohet pak më lirë dhe pa masa shtrënguese’/ Emigrantët nga Greqia dynden drejt atdheut, fluks mjetesh në Kakavijë e Kapshticë  

Këto festa fundviti do ta gjejnë Greqinë më të izoluar se kurrë për shkak të masave shtrënguese prej variantit të ri të koronavirusit, “Omicron”. Por duket se emigrantët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë aty, i kanë rënë lapsit këtë vit dhe kanë menduar të vijnë për të festuar pak më lirë dhe pa masa shtrënguese si ato të Greqisë.

Në pikë-kalimin e Kakavijës në prag të Krishtlindjeve ka një fluks të shtuar të qytetarëve në të dy anët e kufirit.

Vetëm gjatë 24 orëve të fundit kanë qarkulluar rreth 5700 vetë shumica e të cilëve, rreth 4200 në hyrje për në Shqipëri.

Kuadri i masave për Covid 19 i detyron ata të paraqesin për autoritetet certifikatë vaksinimi ose një test “PCR”, ose antigen të shpejtë.

Në rast se këto dokumente mungojnë, personat detyrohen të karantinohen deri në 10 ditë dhe izolimi i tyre ndiqet nga shërbimet shëndetësore, pranë adresave që kanë dhënë në kufi.

Shtetasit në hyrje janë nga e gjithë Shqipëria dhe në shumicën e tyre, kanë shumë kohë pa e vizituar familjen, kjo për shkak të një viti të vështirë, por edhe kufizimeve që diktoi pandemia në të dy vendet.

“Po shkoj në Elbasan ku më pret familja. Kemi 6 muaj pa ardhur dhe ka qenë një vit shumë i vështirë”.

“Do të shkojmë në Durrës tek gjyshërit. Kemi që prej verës që s’vijmë. Në përgjithësi ka qenë një vit i mirë, pak vështirë me shkollën prej pandemisë”.

“Unë kam dy vjet pa ardhur nga Preveza se ka pasur dhe kufizime. Po shkoj në Berat Për mua nuk ka qenë dhe aq keq por shpresojmë që ky vit të jetë më i mirë e të ketë shëndet për të gjithë”.

Në dalje nga Shqipëria në 24 orët e fundit u regjistruan rreth 1500 qytetarë. Për ta përveç certifikatës së vaksinimit, është i detyrueshëm edhe një test negativ “PCR”, ose i shpejtë për të hyrë në Greqi.

Ashpërsimi i masave dhe kufizimet për grumbullimet gjatë festave në shtetin grek, ka reduktuar disi edhe lëvizjen.

Gjithashtu PLF (passenger locator form), duhet të plotësohet nga çdo qytetar në hyrje në Greqi të paktën një ditë para udhëtimit.

Festat e fundvitit kanë sjellë dyndje të qytetarëve shqiptarë edhe në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës. Gjatë 24 orëve të fundit, nga Kapshtica kanë hyrë 4005 dhe kanë dalë 1182 persona.

Ndërsa për të bërë më të lehtë kalimin, janë vënë në dispozicion më shumë sportele për të asistuar të gjithë emigrantët që festat duhet t’i kalojnë me familjarët e tyre.

Më pak fluks ka në dalje të vendit, pasi duket se janë më të pakët ata që ikin me pushime në Greqi për të festuar.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *