Pandemia duket se nuk ka frenuar fluksin e emigrantëve për festat e fundvitit. Ndryshe nga 2 vite më parë ku për shkak të covid emigrantët ishin më të kufizuar për të lëvizur në Pikat e Kalimit Kufitar, këtë herë duket se situata ka ndryshuar.
Në 24 orë në Kapshticë kanë hyrë 4005 dhe kanë dalë 1182 persona ndërsa në dispozicion janë vendosur më shumë sportele. Pas një kohë të gjatë largimi, emigrantët kanë zgjedhur t’i kalojnë festat me familjarët e tyre. Më pak fluks ka në dalje të Kapshticës ku nuk mungojnë ata qe ikin me pushime ne Greqi apo edhe të tjerë që shkojnë tek familjarët e të afërmit për të festuar.
Në pikëkalimin e Kakavijës në këtë vigjilje festash ka një fluks të shtuar të qytetarëve në të dy anët e kufirit. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit kanë qarkulluar rreth 5700 vetë, shumica e të cilëve, rreth 4200 në hyrje për në Shqipëri. Kuadri i masave për Covid 19 i detyron ata të paraqesin për autoritetet çertifikatë vaksinimi ose një test PCR ose antigen të shpejtë. Në rast se këto dokumenta mungojnë personat detyrohen të karantinohen deri ne 10 ditë dhe izolimi i tyre ndiqet nga shërbimet shëndetsore pranë adresave që kanë dhënë në kufi. Shtetasit në hyrje janë nga e gjithë Shqipëria dhe në shumicën e tyre kanë shumë kohë pa e vizitur familjen kjo për shkak të një viti të vështirë por edhe kufizimeve që diktoi pandemia në të dy vendet.
Në dalje nga Shqipëria në 24 orët e fundit u regjistruan rreth 1500 qytetarë. Për ta përveç çerfitikatës së vaksinimit është i detyrueshëm edhe një test negativ PCR ose i shpejtë për të hyrë në Greqi. Ashpërsimi i masave dhe kufizimet për grumbullimet gjatë festave në shtetin grek ka reduktuar disi edhe lëvizjen. Gjithashtu passenger locator form duhet të plotësohet nga çdo qytetar në hyrje në Greqi të paktën një ditë para udhëtimit.
/Priza.al/