Në një kohë që ushtria jonë ka mbetur vetëm me disa mortaja të lehta, ushtritë e fqinjëve tanë janë të armatosura “deri në dhëmbë”, e madje vijojnë pajisjen me teknologji të reja.
Serbia mori në dorëzim këto ditë sistemin modern rus të raketave më të fundit antitank. Media “B92” shkruan se, dorëzimi përfundoi një fazë tjetër të modernizimit të forcave të armatosura, e cila përfshinte blerjen e një prej raketave antitank më të besueshme në botë.
Armët e reja kanë mbërritur në Serbi mbrëmjen e së enjtes dhe janë dorëzuar nga avioni transportues rus “Ilyushin 76”. Raketat janë transportuar me kamionë në magazinat ushtarake.
Sistemi i ri raketor më i sofistikuar për shkatërrimin e mjeteve të koracuara “Cornet”, i cili prokurohet përmes kompanisë ruse të eksportit “Rosoboronexport”, konsiderohet si maja e teknologjisë së raketave antitank dhe antiblind.
“Ky sistem është i telekomanduar, jashtëzakonisht efikas, i drejtuar dhe lehtësisht i lëvizshëm dhe portativ. Raketat drejtohen me lazer në objektiv”,- shkruan media serbe.
“’Vrasësi i tankeve’ i Rusisë, duhet të zëvendësojë raketën vendase antitank ‘Malutka’, e cila edhe në versionin e modernizuar nuk mund të përballojë më sfida më serioze teknologjike”,- vijon më tej shkrimi.
Raketa “Cornet” ka një rreze veprimi deri në tetë kilometra (8 Km). Përdoret në mënyrë efektive për të shkatërruar bunkerët, ndërtesat e fortifikuara, automjetet e blinduara dhe teknika të tjera, përfshi të gjitha llojet e tankeve.
“Raketat ‘Cornet’ janë pjesë e bashkëpunimit të suksesshëm ushtarako-teknik afatgjatë serbo-rus, të cilit iu dha një shtysë e re në takimin e fundit mes presidentit rus, Vladimir Putin dhe atij serb, Aleksandar Vuçiç, në Soçi. Brenda disa ‘pakove’ me armë, Ushtria serbe deri tani ka marrë ‘MIK-29’, tanke ‘T-72’, automjete luftarake ‘BRMD-2’ etj.”,- theksohet në artikull.
Serbia është përdoruesi i tretë evropian i këtyre armatimeve të sofistikuara ruse, pasi raketa të tilla vdekjeprurëse janë tashmë në arsenalin e Greqisë dhe Turqisë (dy të fundit vende anëtare të NATO-s). “Këto konsiderohen si maja e teknologjisë botërore të armatimeve anti-tanke”,- mbyllet shkrimi i medias serbe.
/Priza.al/