Ish-kampioni botëror dhe evropian i kickboks-it, Frederic Fred Sinistra, ka ndërruar jetë në shtëpinë e tij për shkak të problemeve të rënda të frymëmarrjes, të shkaktuara nga Covid-19.
Belgu ishte 41 vjeç dhe deri në fund ishte një mohues i bindur i kwsaj swmundje. Ai ishte detyruar të shtrohej në spital në Liege, nga trajneri i tij, Osman Yigin, në fund të nëntorit.
Por në javën e parë të dhjetorit, pavarësisht gjendjes së rëndë shëndetësore, ai kishte firmosur daljen nga spitali për të shkuar në shtëpi. Gruaja e tij, në postimin e gjatë të lamtumirës, vazhdon të pretendojë se, i shoqi nuk ka vdekur nga Covid.
Vetë Sinistra, në faqen e tij në Instagram, iu desh të postonte një foto nga spitali, teksa ishte i lidhur me një aparat respirator, duke njoftuar se i ishin dëmtuar mushkëritë, por duke premtuar se do të rikthehej në ring më i fortë se më parë, edhe pse i duhej të anulonte një ndeshje në Francë e planifikuar për 4 dhjetor.
Por dhjetë ditë pasi u tha mbështetësve të tij se, ishte kthyer në shtëpi (“Tani po shërohem i qetë në shtëpi dhe do të jem edhe më i fortë se kurrë, sepse vetë vdekja nuk më donte dhe toka do të dridhet ende nën këmbët e mia”,- shkruante, duke paralajmëruar ndeshjen e radhës më 28 janar në Turqi), i bindur se mund ta kapërcente këtë betejë të jetës së tij, Sinistra u nda nga jeta.
Ditë pas vdekjes së tij, gruaja e tij, gjithashtu në Instagram, duke sulmuar shtypin dhe familjen, duke mbetur në pozicione mohuese, kishte mohuar që i shoqi të kishte vdekur nga Covid, me argumentin se, ai vetë nuk do ta kishte lejuar kurrë që të përdorej për të mbështetur vaksinimin kundër virusit.
/Priza.al/