Fatmirësisht deri tani nuk ka ndodhur, por disa segmente të papërfunduara si duhet të “Rrugës së Arbrit”, rrezikojnë të marrin jetë njerëzish për shkak të rrezikshmërisë së lartë dhe standardeve të sigurisë që mungojnë tërësisht.
Reshjet e pandërprera të shiut kanë krijuar probleme në rrugën e Arbrit nga Tirana në Klos. Më problematike situata paraqitet në “By-pass”-in e Murrizit, ku ka rënie të shumta të gurëve nga skarpatet e malit.
Rrëshqitja e tokës si pasojë e fryrjes nga shiu ka bërë që në një gjatësi të konsiderueshme, ky segment të bëhet i vështirë për qarkullimin e automjeteve, si rezultat i pranisë së gurëve.
Autoritetet, këshillojnë drejtuesit e mjeteve që të tregohen tepër të kujdesshëm gjatë qarkullimit, të reduktojnë shpejtësinë dhe të zbatojnë sinjalestikën.
Po ashtu në pjesën e “Qafë Murrizit” ka reshje dëbore me intensitet të ulët, ndërsa momentalisht problemi i vetëm është prania e gurëve në rrugë.
Kompania “Gjoka Konstruksion” që po vijon punimet në këtë vepër, nga ana e saj nuk ka marrë asnjë masë për vendosjen e elementëve të sigurisë, ku mjaftë skarpate janë lënë pa rrjeta mbrojtëse teli kundër rrëshqitjes së gurëve.
Po ashtu në shumë kilometra, asfalti me cilësi të dobët dhe blinderi që është hedhur nga kompania “Gjoka”, është gërryer dhe ka shkaktuar çarje dhe gropa të mëdha me rrezikshmëri për automjetet, sidomos gjatë natës.
As në mbylljen e këtyre gropave nuk është vënë dorë, por më problematikë janë kthesat e forta, maloret dhe mungesa e elementëve të sigurisë anësore si guardalinat metalike, që në shumë vende mungojnë.
Kjo rrugë e nde e papërfunduar dhe me një cilësi mjaftë të dobët punimi, duket se ka nisur që të bëhet një problem i madh për të gjitha automjetet që përshkojnë këtë aks nga Peshkopia në Tiranë.
/Priza.al/