Presidenti rus Vladimir Putin, deklaronte se kishte në tryezë një sërë opsionesh nëse Perëndimi dështon të përmbushë kërkesën e tij për garanci sigurie që pengojnë zgjerimin e NATO-s në Ukrainë.
Në fillim të këtij muaji, Moska paraqiti projekt-dokumentet e sigurisë, duke kërkuar që aleanca t`i mohojë anëtarësimin e Ukrainës dhe vendeve të tjera ish-sovjetike dhe të anulojë dislokimet e saj ushtarake në Europën Qendrore dhe Lindore.
Putin i ka kërkuar Perëndimit që të lëvizë shpejt për të përmbushur kërkesat, duke paralajmëruar se, Moska do të duhet të marrë “masa ushtarako-teknike” nëse Perëndimi vazhdon kursin e tij “agresiv”, pikërisht “në pragun e shtëpisë sonë”.
I pyetur se, cila mund të jetë në mënyrë specifike përgjigja e Moskës, ai tha në komentet e transmetuara nga televizioni shtetëror rus të dielën se, “mund të jetë e larmishme”, duke shtuar pa dyshim “do të varet nga propozimet që ekspertët tanë ushtarakë do të më paraqesin”.
Putin: “Ne nuk kemi se ku të tërhiqemi. NATO-ja mund të zhvendosë në Ukrainë raketa që arrijnë në Moskë për 4 apo 5 minuta. Ata vetë na kanë shtyrë drejt një linje që s`e kalojmë dot. Na kanë çuar në pikën që ne të themi: Boll më”!
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre kanë refuzuar deri tani t’ia ofrojnë Rusisë atë lloj garancie për Ukrainën që dëshiron Putini, duke përmendur parimin e NATO-s se anëtarësimi është i hapur për çdo vend që kualifikohet.
Ata ranë megjithatë dakord të nisin bisedimet e sigurisë me Rusinë muajin e ardhshëm, për të diskutuar shqetësimet e saj. Putin tha se, takimi me SHBA-të do të mbahet në Gjenevë.
Paralelisht, negociata do të zhvillohen mes Rusisë dhe NATO-s dhe priten diskutime më të gjera nën kujdesin e Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë.
/Burimi: Daily Mail/Përshtati: Priza.al/