Kryetari i shoqatës për mbrojtjen e konsumatorit dhe prodhuesit vendor, Ervin Resuli, ka qenë sot në Prokurorinë e Posaçme për të denoncuar ish-ministren e Bujqësisë Milva Ekonomi dhe dy zyrtarë të lartë të kësaj ministrie.
Denoncimi ka të bëjë me zbulimin e fakteve tronditëse për qarkullimin e medikamenteve bujqësore dhe veterinare kancerogjene në vend.
Resuli tha se personat e kallëzuar për veprimet apo mosveprimet e tyre, në rastin më të mirë me mosushtrim të detyrës, por pse jo të gjitha institucionet në sinkron duke mos vepruar në përputhshmëri me ligjin konsiderohen si një grup i organizuar që ka sjellë pasoja tek konsumatori.
“Sapo depozitova në SPAK një kallëzim si kryetar i shoqatës për mbrojtjen e konsumatorit dhe jo vetëm, por edhe si prind i cili ka vendosur të rrisë fëmijët në këtë vend ndaj zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, nisur nga emisioni investigativ ‘Top Story’ lidhur me aferën e medikamenteve veterinare, madje atyre medikamenteve të cilat prej 25 vitesh nuk duhet të qarkullonin në Shqipëri me veti të larta kancerogjene, u gjetën në treg dhe në një formë apo një tjetër kanë mbërritur tek konsumatori shqiptar.
Personat e kallëzuar për veprimet apo mosveprimet e tyre, në rastin më të mirë mund të kemi të bëjmë me mosushtrim të detyrës, por pse jo të gjitha institucionet në sinkron duke mos vepruar në përputhshmëri me ligjin konsiderohen si një grup i organizuar që ka sjellë pasoja tek konsumatori”, tha kreu i Shoqatës për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe Prodhuesit vendor.
/Priza.al/