‘Është marrë peng aktiviteti i aeroportit’, Rama: Berisha dhe Meta kanë gjetur qeverinë dhe kryeministrin e gabuar

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për anulimin e fluturimeve në Aeroportin e Rinasit, si pasojë e pezullimit të punës nga ana e kontrollorëve ajror. Rama bëri fajtorë të drejtpërdrejtë presidentin Ilir Meta dhe ish-kryeministrin Sali Berisha, sipas së cilit kërkojnë të rrëzojnë qeverinë, por theksojnë se ‘kanë gjetur kryeministrin e gabuar’.

“Ka ndodhur një akt i paimagjinueshëm, është marrë peng aktiviteti i aeroportit nga një grup i nxitur drejtpërdrejt nga Sali Berisha dhe Ilir Meta. Po përdorin  një gur me emrin Leshko. Kupton edhe një herë se si Ilir Meta dhe Sali Berisha janë në këtë përpjekje për të rrëzuar Qeverinë tonë, duke rrezikuar shtetin. Kanë bllokuar edhe vaksinimin. Por nuk do t’ia arrijnë. Kanë gjetur Qeverinë dhe Kryeministrin e gabuar”, tha Rama.

Ai u ka bërë thirrje kontrollorëve që të kthehen në punë një orë e më parë.

“Unë shpresoj shumë dhe u bëj thirrje punonjësve që të kthehen në detyrë një orë e më parë. Paga është ulur si rezultat i pandemisë që ka goditur kudo dhe ka goditur më së shumti sektorin e transportit. Aktualisht e kanë mbi 2400 dollarë dhe nuk pranojnë të punojnë me këtë rrogë. I kanë bërë llogaritë gabim por plani i tyre për të mbyllur aeroportin mundësisht deri në zgjedhje dhe plani për goditjen e sigurisë kombëtare do të dështojë.  Bllokimi i aeroportit bllokon ardhjen e vaksinave, bllokon lëvizjen e qytetarëve. Këta të gjithë janë socialistë, demokratë, me bindje të ndryshme dhe goditen po njësoj në emër të asaj politike ogurzezë për Shqipërinë, ekonominë e këtij vendi, të ardhmen e këtij vendit”, tha Rama.

Ditën e sotme, rreth 60 kontrollorë të trafikut ajror kanë deklaruar paaftësi në punë për shkak të uljes së pagave nga 4400 dollarë në 2400 dollarë. Një gjë e tillë, ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku tha se kjo është një grevë ilegale dhe do të mbajnë përgjegjësi penale, teksa edhe ajo akuzoi se pas kësaj fshihet ish-kryeministri Sali Berisha dhe presidenti Ilir Meta.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *