Jo vetëm mjekë, infermierë, apo punëtorë/ Gjermania mund t’i ‘marrë’ Shqipërisë edhe kuadrot e lartë ushtarakë? Ja thirrja e re…  

Viti që po troket (2022), do të jetë mjaft i “begatë” për ata që kanë ndër mend të largohen nga Shqipëria duke zgjedhur një vend të ri në Europë, si “atdhe” të ri.

Këtë nuk e thonë më parashikuesit e fatit, por oportunitetet dhe ofertat që disa vende të BE-së, apo edhe Anglia, po bëjnë për të marrë punonjës apo kuadro nga vendet e Ballkanit Perëndimor, mes të cilëve edhe Shqipëria.

Por në krye të mundësive tepër të volitshme për të punësuar shqiptarë, qëndron Gjermania, e cila duket se vitin e ardhshëm (2022), nuk do të presë më vetëm mjekë, infermierë, apo punëtorë të pakualifikuar ose zanatçinj.

Një mori profesionesh do t’u hapet rruga e lirë për aplikime punësimi dhe shkollimi profesional apo master në Gjermani, në një kohë që pas këtyre ky vend do të ofrojë edhe mundësi për qëndrim të përhershëm në atë vend.

Mediat gjermane kanë njoftuar jo më larg se sa sot, se për vitin që vjen, Gjermania do të njohë edhe patentat shqiptare të automjeteve (licencat e drejtimit të automjetit), në një kohë që deri në gjysmën e vitit 2022 Parlamenti gjerman pritet që të miratojë edhe të drejtën e dy-shtetësisë për shtetasit shqiptar që aplikojnë për dokumente të përhershme gjermane si leje qëndrimi e përhershme dhe pasaporta.

Pra thënë ndryshe, emigrantët e rregullt shqiptarë në Gjermani, nuk do të kenë më nevojë që të heqin dorë nga pasaporta dhe shtetësia shqiptare, për të përfituar pasaportën gjermane.

Nga viti që vjen ata mund t’i mbajnë ato që të dyja, pasi Bundestagu të ketë votuar lejimin e dy-shtetësisë.

Por njoftimi më i ri që është publikuar vetëm dje në faqen zyrtare të Ambasadës Gjermane në Tiranë, bën thirrje edhe për ofrimin e bursave të kualifikimit për ushtarakë me studim të lartë nga vende si Shqipëria (anëtare e NATO-s), me qëllim jo vetëm shkollimin por edhe punësim të mëvonshëm aty.

Ja njoftimi i plotë i Ambasadës Gjermane në Tiranë:

“Thirrje për aplikime: Bursa Manfred Wörner?

Ministria Federale e Mbrojtjes akordon Bursa në shenjë mirënjohjeje për punën e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Dr. Manfred Wörner, i cili u nda nga jeta në vitin 1994. Ajo shkon për studiues dhe oficerë të rinj me kualifikim të lartë shkencor nga vendet aleate të NATO-s, ose vendet të cilat marrin pjesë në programin “Partnership for Peace”.

Për sa i përket përmbajtjes, bursantët duhet të trajtojnë në nivel shkencor një temë që lidhet me NATO-n. Në parim, është e mundur të trajtohet edhe një temë e lidhur me fushën e politikës së jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes.

Afati i fundit i aplikimit për Bursën Manfred Wörner 2022 është dt. 1 Mars 2022”.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *