Koncensionarët që shfrytëzojnë fushat naftëmbajtëse në Shqipëri ankohen vit pas viti se, dalin me humbje. Për të justifikuar këtë ata paraqesin pranë Tatimeve bilance negative, në një kohë që asnjë taksë fitimi nuk shkon në arkat e shtetit shqiptar. Madje, ata kryejnë edhe investime të pakta në zonat ku operojnë.
Një kompani e tillë, që shfrytëzon burimet e naftës në vendin tonë, por dhe që ankohet për “humbje” është edhe ajo ndërkombëtare “SHELL”.
Gjiganti botëror për nxjerrjen e naftës dhe nënprodukteve të saj, në vendin tonë del një kompani “me humbje”.
Arsyeja?! Natyrisht që bilancet këto kompani i bëjnë në mënyrë të tillë që të mos paguajnë asnjë kacidhe në vendin tonë, teksa operojnë prej vitesh duke fryrë administratën dhe duke u vendosur drejtuesve rroga të majme. Madje, bëjnë kontrata me nënkontraktorë, vendas apo të huaj, duke mos dashur që të paguajnë tatim fitimi apo rentë minerare.
Skandali i pagave ka nxjerrë zbuluar disa prej këtyre kompanive, të cilat rezultojnë me paga stratosferike për drejtuesit e këtyre kompanive. Por, a nuk është pasuri e shqiptarëve nafta që ata nxjerrin? Natyrisht që po, pasi 1 litër naftë apo benzinë është aktualisht 190 lekë, më e shtrenjtë se vendet perëndimore. Por, ku shkojnë këto para që fitohen nga nafta shqiptare?
Nga një vëzhgim i bërë mbi të dhënat e kompanisë SHELL, rezulton se në Shqipëri ajo ka 57 punonjës me rrogë.
Faksimile: Rrogat e punonjësve të SHELL, nga më e larta deri më e ulëta
Sipas vëzhgimit, rezulton se kompania që shfrytëzon fushat naftëmbajtëse të zonës së Shpiragut në qarkun e Beratit, ka 57 punonjës me rrogë. Më i paguari është administratori, i cili ka një rrogë tepër të majme, plot 7.194.653 lekë të reja në muaj. Një rrogë tepër e lartë, qoftë për vendin tonë apo edhe për vendet e tjera.
24 më të paguarit e kësaj kompanie janë të gjithë shtetas të huaj, ku rrogat e tyre janë të majme sipas listës së sipër publikuar. Lexojini me kujdes shifrat, ku këta punonjës të huaj marrin nga 60, 40, 30, 20, 10 mijë euro në muaj.
I fundit i të huajve ka një pagë mujore 6 mijë euro, teksa në listë janë edhe disa shtetas shqiptar, duke filluar me një pagë 5 mijë euro në muaj. Pagat vijojnë me nga 5, 4, 3, 2 apo 1 mijë euro që është paga më e ulët në këtë kompani, teksa në listë janë inxhinierë, asistentë, kontraktues tregtie, drejtorë, juristë etj., etj.
Sipas disa kalkulimeve të thjeshta, del se sa është fondi mujor i pagave të SHELL. Më sipër ne përmendëm se administratori ka një pagë prej 7.194.653 lekë të reja, ndërsa paga më e ulët prej 102 mijë lekësh të reja, që merr asistent ekzekutiv.
Kjo kompani ka 57 punonjës me rrogë, të cilët marrin një fond total prej 77.366.159 lekë të reja, ose mbi 700 mijë USD në muaj. Nga një përllogaritje e thjeshtë rezulton se, mesatarisht punonjësit paguhen me 1.333.899 lekë të reja në muaj, ose mbi 11 mijë USD në muaj. Shifra të frikshme, duke parë nivelin e pagave në vendin tonë. Por, për ata që shfrytëzojnë burimet tona natyrore, këto paga janë normale.
Faksimile: Mesatarisht 1 punonjës i SHELL paguhet me 11 mijë USD në muaj. 1 punonjës i firmave nënkontraktore paguhet me 500 USD në muaj
Më sipër përmendëm sa paguhen punonjësit e huaj dhe shqiptarë të SHELL, që shfrytëzon vendburimin e naftës në Shpirag, Berat. Ndërkohë, kjo firmë ka lidhur kontrata me disa firma shqiptare, si nënkontraktore. Këto firma janë FUSHA dhe SALILLARI, të cilat bëjnë punët në terren.
Normalisht, këto firma kanë punëtorë shqiptarë. Sipas fondit të pagave të muajit prill 2021, rezulton se paga mesatare e kompanive shqiptare është 600 mijë lekë të vjetra, ose rreth 500 USD. Të njëjtin fond pagash kanë të dyja, duke bërë llogaritje të thjeshtë të numrit total, me pagën më të lartë dhe më të ulët.
Inxhinierët apo punëtorët e mesëm në këto dy kompani paguhen nga 600 apo 700 USD, ndërkohë që me poste të ngjashëm në SHELL paguhen me 5 apo 10 fish më shumë.
Diferenca është e frikshme, teksa me këtë fond pagash lindin shumë dyshime: A po shkojnë jashtë Shqipërisë fitimet e naftës shqiptare?!
/Burimi: Boldnews.al/