Policia e Elbasanit prej 2 ditësh është mobilizuar në kapjen e autorëve që vranë 32-vjeçarin Albi Bashaliu në Peqin. Ditën e sotme ‘blutë’ kanë arritur të vendosin nën pranga 2 të dyshuar si përkrahës të kriminelëve, të identifikuar si shtetasit Veiz Bashali, 41 vjeç dhe Mikel Xhaja, 30 vjeç, të dy banues në fshatin Gjoçaj, Peqin.
Mësohet se ata kanë fshehur rrethanat e ngjarjes dhe kanë penguar organet e Policisë në zbardhjen e dinamikës së krimit si dhe motivin që e ka nxitur. Si provë materiale efektivët kanë gjetur në aksin rrugor Gosë-Vibashtovë, Rrogozhinë është gjetur automjeti tip “Volkswagen Caddy”, që ka qenë në përdorim nga viktima.
Ngjarja
Albi Bashaliu i cili i vra mëngjesin e së hënës me armë zjarri në Peqin. Raportohet se 32-vjeçari ishte në lokalin e fshatit kur dikush nga jashtë e ka thirrur në emër dhe ai e ndoqi pas. Në këtë moment autorët e kanë qëlluar dhe janë larguar me shpejtësi në drejtim të paditur.
Viktima ishte vëllai i Leonard Bashaliut, i cili është i dënuar me burg pasi në qershor të këtij viti ka vrarë Albert Xhahysën, për një konflikt të ndodhur 5 vite më parë viktima i kishte gërvishtur makinën. Për këtë arsye, pista kryesore në të cilën po heton policia është se ekzekutimi i 35-vjeçarit është vrasje për hakmarrje.
Njoftimi i policisë:
Vijojnë veprimet e thelluara hetimore, për zbardhjen e vrasjes së 32-vjeçarit, mëngjesin e datës 27 dhjetor 2021. Vihen në pranga 2 shtetas, të dyshuar si përkrahës të autorëve të krimit.
Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me ato të Komisariatit të Policisë Peqin, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, kanë vijuar intensivisht punën hetimore, me qëlim zbardhjen e vrasjes së 32-vjeçarit A. B.
Si rezultat i veprimeve të thelluara hetimore, u bë i mundur arrestimi i shtetasve: Veiz Bashali, 41 vjeç dhe Mikel Xhaja, 30 vjeç, të dy banues në fshatin Gjoçaj, Peqin.
Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera është dokumentuar se këta shtetas kanë kryer veprime aktive për të fshehur rrethanat e ngjarjes dhe kanë penguar aktivisht organet e Policisë, për t’u informuar për ngjarjen, rrethanat si ka ndodhur dhe motivin.
Gjithashtu, në kuadër të kryerjes së veprimeve procedurale dhe thellimit të hetimeve për këtë ngjarje të rëndë kriminale, në ndjekje e sipër të autorëve të dyshuar të veprës penale, më datë 28.12.2021, rreth orës 01:00, në aksin rrugor Gosë-Vibashtovë, Rrogozhinë, është gjetur automjeti tip “Volkswagen Caddy”, që ka qenë në përdorim nga viktima, shtetasi A. B.
Nga rrethanat e hetimit dyshohet se autorët kanë marrë mjetin e viktimës për t’u larguar, ndërsa mjetin me të cilin ata udhëtonin e kanë djegur në vendngjarje.
Në vendngjarje janë gjetur sende të ndryshme, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provave materiale dhe që u dërguan për ekzaminime të mëtejshme në Institutin e Policisë Shkencore.
Nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Materialet u referuan në Prokurori, për veprime të mëtejshme.
/Priza.al/