Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një konferencë për shtyp, deklaroi se “avokatia që Edi Rama i ka bërë aferës së inceneratorëve, e ka nxjerrë atë zbuluar”.
“Është prova që ai është bashkautor dhe bashkëpërfitues me Lefter Kokën. Arrestimi i ish-ministrit të Ramës është provë e qëndresës sonë. Paratë e inceneratorëve kanë qenë pjesë e skemës së blerjes së votës, janë përdorur për të mbyllur gojën e mediave. Skema e inceneratorëve është një skemë kriminale mes mafias së plehrave dhe politikanëve”, u shpreh Basha.
Sipas tij, “drejtësia ka hedhur një hap të parë, por nuk duhet mjaftuar me kaq”.
“Drejtësia duhet të procedojë me hapa të tjerë”, shtoi Basha.
Kryedemokrati pati një mesazh për prokurorët dhe gjyqtarët, duke u shprehur mbështetjen e tij dhe PD-së në luftën kundër korrupsionit.
“Nëse arrestimi i një ministri është fillimi i asaj që shqiptarët presin dhe meritojnë, atëherë 2022 premton vërtet të jetë një vit më i mirë për shqiptarët. Sot kam një mesazh për prokurorët dhe gjyqtarët, oficerët e policisë gjyqësore, atyre që u është besuar lufta kundër korrupsionit. Në goditjen ndaj korrupsionit, ju keni dhe do të keni mbështetjen e plotë të PD-së dhe timen personale.
E di që kjo është rrugë e vështirë, përballë keni interesa të mëdha, ndesheni me presionin e aktorëve të rëndësishëm që e trajtojnë Shqipërinë si çifligun e tyre, nuk ka rëndësi nëse janë aktorë politikë, ekonomike, apo oligarkikë. Por dijeni që jeni aty për t’u shërbyer shumicës së shqiptarëve që duan fundin e tranzicionit. Kur jeni betuar për të marrë detyrat tuaja si prokurorë, gjyqtarë, punonjës të policisë gjyqsore, atë betim nuk e keni bërë para shefit të radhës apo kryeministrit, apo para Kushtetutës, atë betim ua keni bërë shumicës së shqiptarëe, mbajeni premtimin.
Një ministër i Edi Ramës në burg mund të mos duket si një bilanc entuziasmues në një vend të gjetur nën rrethimin e shumifishtë të zgjedhjeve, por është shkëndi që gjërat në këtë vend mund të ndryshojnë. Ajo që na duhet është fundi i një sistemi gati feudal që mori trajtat nga sistemi i patronazhimit. T’i japim fund patronazhimit, tutelazhit, kodshllëkut që politika ka instaluar. Ky është urimi dhe besimi me të cilën PD dhe demokratët do ta nisin këtë vit”, tha Basha.
/Priza.al/