Si do të reagonin komunitete të ndryshme fetare përpara zbulimit të jetës aliene? NASA e ka parashikuar një gjë të tillë, përmes një programi të quajtur “Ndikimet shoqërore të astrobiologjisë”. Një grup në të cilin u mblodhën 24 teologë në Qendrën për Kërkim Teologjik në Princeton analizoi një skenar të tillë në vitin 2016.
Si do ta ndryshonte një zbulim i tillë perceptimin e njerëzve për Zotin?
Si do të ndikonte p.sh. në historinë biblike të krijimit? A do të duhej që fetë të ndryshojnë doktrinën e tyre?
“Gjetjet kryesore janë se adhuruesit e disa traditave fetare raportojnë se ata mund ta pranojnë idenë“, thotë për The Times dr. Andrew Davison, prift dhe teolog anglikan në Universitetin e Kembrixhit, i cili mori pjesë në program dhe ka shkruar një me titull “Astrobiologjia dhe Doktrina e Krishterë”.
Davison shtoi se komuniteti jofetar në përgjithësi tenton të “mbivlerësojë sfidat me të cilat besimtarë të feve të ndryshme do të haseshin nëse do të zbulonim ndonjëherë prova të jetës aliene”.
Një rabin, një imam dhe një prift tjetër anglikan thonë se doktrina e krishterë, hebreje dhe islame nuk do ta kishin problem zbulimin e jetës aliene.
Por sa afër zbulimit të formave të tilla të jetës është NASA?
Me teleskopin e ri të lëshuar në hapësirë pak ditë më parë, James Webb, ka të ngjarë të jetë hedhur një hap i ri në rrugën e gjatë për t’iu përgjigjur më në fund pyetjes nëse ka jetë apo jo atje lart. Dhe mesa duket, paraprakisht, NASA do të sigurohet se këtu poshtë të mos ketë nga ata që i kanë problem alienët.
/Priza.al/