Sistemi i fluturimit në vendin tonë është futur në kaos. Në drejtorinë vendore të Policisë së Tiranës janë shoqëruar 9 kontrollorë. Bëhet fjalë për: Rei Katroshi, Flora Ndreca, Sokol Kosta, Mohnir Mezini, Elton Shabani, Armando Fezga, dhe disa persona të tjerë. Mësohet se një pjesë e tyre janë marrë në telefon, ndërsa të tjerë kanë shkuar vullnetarisht në polici.
Kontrollorët janë vendosur që të hetohen në gjendje të lirë, pasi ndaj tyre, nuk ka një urdhër-arresti. Të gjithë janë marrë në Prokurori pa avokatin, me pretendimin se nuk kanë cilësinë e të pandehurit, dhe janë pyetur për informacion lidhur me situatën e tyre.
Ministria e Transportit është detyruar të anulojë të gjitha fluturimet, pasi kontrollorët kanë pezulluar punën, duke u ankuar për uljen e pagave.
Për shkak të pandemisë, një vit më parë pagat e tyre janë ulur nga 4.400 dollarë në rreth 2.500 dollarë në muaj, dhe kjo ulje sipas tyre u ka shkaktuar stres dhe nuk e përballojnë dot jetesën me 2.500 dollarë.
Braktisja në bllok e punës ka futur në kolaps aeroportin. Një ditë më parë, kreu i qeverisë Edi Rama hodhi akuza të forta mbi kreun e shtetit, Ilir Meta dhe ish-kryeministrin Berisha për grusht shteti.