Marsi dhe Toka mund të jenë formuar nga përplasjet e shkëmbinjve në madhësinë e Hënës

Toka dhe Marsi ka të ngjarë të jenë krijuar nga përplasjet midis shkëmbinjve gjigantë në madhësinë e satelitit të planetit tonë Hënës, dhe jo nga grumbullimi gradual i guralecëve të vegjël. Në këtë përfundim arrin një studim i ri. Hulumtimet e mëparshme, sugjeronin se planetet shkëmborë si Toka mund të jetë ndërtuar përmes 2 mënyrave.

Modeli klasik propozon që shkëmbinjtë e madhësisë së Hënës në Mars, të quajtur embrione planetare, përplaseshin dikur rregullisht me njëri-tjetrin në sistemin e brendshëm diellor, duke u grumbulluar dhe krijuar në fund planete me një madhësi të plotë.

Një koncept alternativ i teorizuar kohët e fundit, thotë se guralecët e vegjël, të cilët kanë lëvizur nga sistemi i jashtëm diellor brenda tij, janë grumbulluar gradualisht për të formuar planetë shkëmborë, një proces që mendohet se ka qenë thelbësor për formimin e bërthamave të planetëve gjigantë si Jupiteri dhe Saturni.

Për të parë secilin model, shkencëtarët analizuan një sasi prej rreth 22 gramë material të marrë nga 17 meteoritë që e kishin origjinën nga Marsi. Këta shkëmbinj ishin prodhuar nga përplasja e Planetit të Kuq me asteroidët e lashtë, duke gjetur më pas rrugën e tyre deri në Tokë.

Studiuesit ekzaminuan se si këto mostra ndryshonin në përbërjen e tyre izotopike. Izotopet janë forma të të njëjtit element kimik,të cilat ndryshojnë vetëm nga numri i neutroneve që kanë në bërthamën e tyre. Për shembull, Uraniumi-234 ka 142 neutrone në bërthamën e tij ndërsa Uraniumi-238 ka 146 neutrone.

Shkencëtarët krahasuan nivelet e izotopeve të titanit, zirkonit dhe molibdenit nga Marsi dhe nga Toka, me ato të grupeve të ndryshme të meteoritëve nga sistemi diellor i brendshëm dhe i jashtëm. Ata zbuluan se Toka dhe shkëmbinjtë marsianë u ngjanin më shumë meteoritëve nga sistemi i brendshëm diellor, me vetëm rreth 4 për qind të përbërjeve të tyre që i ngjanin materialit të jashtëm të sistemit diellor.

Numri i madh i meteoritëve marsianë që analizuan studiuesit, i ndihmoi të kapërcejnë rezultatet kontradiktore të vërejtura gjatë studimit të mëhershëm që analizoi një numër më të vogël të këtyre shkëmbinjve.

“Në përgjithësi, ne i dhamë zgjidhje interpretimeve kontradiktore të studimeve të mëparshme, dhe në studimin e fundit tregojmë se Toka dhe Marsi u formuan nga një materiali që e ka kryesisht origjinën nga sistemi i brendshëm diellor”- thotë autori kryesor i studimit Kristof Burkhard, shkencëtar planetar në Universitetin e Mynsterit në Gjermani.

Sipas tij vetëm një përqindje e vogël e blloqeve ndërtuese të këtyre dy planetëve, e kanë origjinën përtej orbitës së Jupiterit. Kjo na jep mundësinë t’i përgjigjemi pyetjes themelore se nga se është e përbërë Toka dhe si është formuar ajo.

Ndonëse akumulimi i guralecëve mund të luajë një rol të madh në formimin e planetëve shkëmborë rreth yjeve të tjerë, një arsye pse ka të ngjarë që ky proces ketë pasur vetëm një rol të vogël në formimin e planetëve shkëmborë në sistemin tonë diellor është Jupiteri, i cili mund të kishte gllabëruar shumë nga guralecët dhe pluhurin nga sistemi i jashtëm diellor.
“Pa Jupiterin, ne mund të kishin sot një super-Tokë ose një mini-Neptun”- thotë Burkhard.

Ndërkohë gjetjet e studimit të ri, sugjerojnë se Toka dhe Marsi ka të ngjarë të kenë inkorporuar materiale nga një grup shkëmbinjsh hapësinorë, të cilët aktualisht janë të panjohur për shkencën, pra që e kanë origjinën “me shumë gjasa nga orbita e Tokës përreth Diellit thekson shkencëtari gjerman.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *