Kostot e jetesës do jenë mjaft të larta edhe për vitin e 2022. I nxitur edhe nga pandemia shtrenjtimi i produkteve ka arritur rekord. Përpos ushqimeve dhe energjisë, çmimet e apartamenteve janë bërë të papërballueshme nga qytetarët.
Këtë shtrenjtim nuk e ndali as bumi i ndërtimeve. Edhe pse në 5 vitet e fundit janë dhënë 5,563 leje ndërtimi në të gjithë vendin, rritja e çmimeve nuk u ndal.
“Në çdo rrugë ka ndërtime që do të thotë se oferta është goxha e madhe për prona në Tiranë, por njëkohësisht shohim rritjen e çmimeve”, thotë agjenti imobiliar.
Në një kohë kur çmimet për metër katror për të blerë një apartament në Tiranë janë mbi 1000 euro metri katror, (në zonat periferike dhe ndërtimet e vjetra 800 euro metri katror), të paaksesueshme janë edhe qiratë, për familjet me të ardhura mesatare.
“Rritja e çmimeve është 10-15% por mund të ketë edhe zona me rritje 20%. Qira poshtë 300 euro është shumë e vështirë të gjesh ose nuk gjen fare. Përballemi me klientët tanë vendas që nuk kanë burime të ardhurash nga jashtë, që vijnë duke qeshur e ikin duke qarë, prej çmimeve”, thotë agjenti.
Në këto kushte ku çmimet rriten pavarësisht fluksit të ndërtimeve, dyshimet bien mbi përdorimin e parave të pista në sektor.
“Edhe pastrimi i parave ndikon në rritjen e çmimeve”, pohon Ervin Demirxhiu.
Shtrenjtimi i apartamenteve pritet të vijojë edhe në vitin 2022, ndërkohë që nuk dihet sesa është stoku i apartamenteve të pa-shitura.
“Tregu i Shqipërisë, apo konkretisht i Tiranës është i palogjikshëm”, tha Demirxhiu.
Në vitin 2020 çmimet e apartamenteve u rritën me 48.6% në raport me vitin 2013, rritje që vijoj edhe në 2021, ku Banka e Shqipërisë raportoi se deri në qershor çmimet e banesave u rritën me 6.7% në rang vendi krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit 2020.
/Priza.al/